“Arnimi” i përvjetshëm i rrugës që po e “ha” buxhetin e kryeqytetit

Në rrugën “Muharrem Fejza” që ndodhët në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, po investohet gati çdo vit.

Lajme

16/10/2019 19:55

Për të tretën herë ka intervenuar pushteti i kryetarit Shpend Ahmetit, në rrugën “Muharrem Fejza”, në Prishtinë.

Javën që kaloi, Komuna ka mbyllur dhjetëra gropat në këtë rrugë nëpërmjet një kontrate që e ka për mbulimin e gropave, shkruan lajmi.net.

Mbulimi i gropave është bërë duke u shmangur disa standardeve të ndërtimit. Kjo ngase, kontraktori i komunës,  kompania “Toifor”, ka hedhur asfalt pa e larë rrugën.

Megjithëkëtë, është hera e tret brenda tri viteve që komuna po intervenon në këtë rrugë për të mbyllur gropat. Rruga është bërë lara-lara nga copat e ndryshme të asfaltit që janë derdhë nëpër gropa.

Fillimisht, në fund të vitit 2016, rruga “Muharrem Fejza”, u asfaltua gati në tërësi, po nga kompania “Toifor”, e cila po mbulon gropat në rrugët e kryeqytetit. Paraja publike u investua në të pa asnjë kriter. Si në asnjë rast tjetër, asfalti që u hodh në rrugë ishte i trash më pak se 2 centimetra dhe dyshohet se Komuna i shpërfilli edhe kriteret teknike të shkruara në tenderin që u punua kjo rrugë. Për këtë rrugë nuk ka pasur tender të veçantë, por ai ishte bërë me tenderin që quhej “Sanimi i gropave dhe deformimeve të shtresave të asfaltit dhe trotuaret në Komunën e Prishtinës për vitin 2016”.

Pas gjashtë muajve, gropat patën dal gjithandej. Komuna intervenoi përsëri në vitin 2018 duke i mbyllur ato, në disa pjesë. Ndërsa, prej vitit 2018 e deri më tani, qenë bërë dhjetëra gropa të reja.

Ndonëse, ishte intervenuar para tri viteve duke u asfaltuar e gjithë pjesa, në komunë patën thënë për lajmi.net se investimet po bëheshin ‘ad hoc’, pasi kishin një plan se si të rregullohej rruga.

“Ajo rrugë është shtruar pa plan dhe pa projekt nga qeverisja e LDK-së shumë vite më parë. Si rrjedhojë, as nuk është nivelizuar, ka gjithmonë probleme, dhe kërkon investim të madh. Të gjitha investimet që i kemi bërë ne, kanë qenë ‘ad hoc’ sa për t’i sanuar prishjet e rrugës, meqë ka munguar plani dhe projekti i asaj rruge. Para dy viteve është punuar në të me kontratën për sanim të gropave, pra është intervenuar me një shtresë të hollë të asfaltit sa për t’i mbuluar gropat që kanë qenë. Intervenimet e herë pas hershme që i kemi bërë, kanë qenë një zgjidhje e përkohshme, e jo të përhershme. Ajo rrugë duhet të ndërtohet nga fillimi, për çka ne tashmë i kemi bërë edhe projektet konkrete”, kanë thënë në shkurt të këtij viti zyrtarë të komunës për lajmi.net.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë nuk kanë dashur të falsin lidhur me atë se sa para janë shpenzuar këtë herë për mbulimin e gropave në këtë rrugë dhe se kur të do zbatohet plani i Komunës për ritenderimin e komplet rrugës, sipas planit detal të saj.

Kjo rrugë gjendet në pjesën lindore të qytetit dhe përbëhet prej tre segmenteve kryesore:

Segmenti i parë shtrihet prej rrethit të spitalit e deri te Rruga B, e punuar me katër korsi dhe ndarja në mes me një gjatësi prej 580 m.

Segmenti i dytë prej rrethit në Rrugën B në një gjatësi prej 810 metra ku është bërë investimi në vitin 2016. Sanimi i këtij segmenti rrugor është bërë në projektin e Komunës së Prishtinës “Sanimi i gropave në qytet për vitin 2016”. /Lajmi.net/

Fotografi të publikuara nga Komuna e Prishtinas, tetor 2019