Armët e Adem Jasharit për herë të parë ekspozohen në Shqipëri

Muzeu Shtetëror i Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, kanë çelur sot në Tiranë një ekspozitë të veçantë në nderim të kujtimit të heroit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Lajme

05/03/2015 16:21

Ekspozita e quajtur “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri” prezanton historinë e Jasharëve, heroizmin dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës. Për herë të parë në këtë ekspozitë u prezantuan për publikun shqiptar edhe armët me të cilat kanë luftuar Jasharët. Drejtori i Muzeut të Kosovës, Sadik Krasniqi, si dhe homologu i tij shqiptar, Melsi Labi, e përshëndetën këtë ekspozitë, ndërsa theksuan se ka një rëndësi jo vetëm kulturore-historike, por ngërthen në vete porosinë dhe mesazhin për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, si dhe mundëson që të vlerësohet flijimi i popullit shqiptar për liri.

“Në historinë e popullit shqiptar kemi shumë sakrifica, kemi shumë bujë, shumë figura e personalitete, familje të ndryshme që kanë sakrifikuar për lirinë tonë. Adem Jashari në vitin 1991 erdhi në Shqipëri, u përgatit për ushtri, u armatos dhe këto armë të ekspozuara ai i mori nga Shqipëria, për ta luftuar okupacionin, për ta luftuar Serbinë, që e kishte mbështjellë për vite me radhë Kosovën. Këto armë të përgjakura i kemi sjellë sot këtu për të kuptuar, për t’ia servirur opinionit të gjerë mbarëkombëtar për lavdinë që ndodhi, sakrificën që ndodhi, lirinë e Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar, sepse liria e njërës pjesë nga tjetra shumë është varur nga kontribute të ndërsjella”, tha Krasniqi.

Melsi Labi e konsideroi para së gjithash një detyrim hapjen e kësaj ekspozite dhe përkujtimin e heroizmit të Adem Jasharit.

“Kjo lloj ekspozite është një detyrim i Muzeut Historik të Shqipërisë dhe i shtetit shqiptar për familjen Jashari, por jo vetëm. Ndaj ne sot, në plotësim të të gjitha iniciativave dhe objektivave që kemi vendosur, shfaqim këtë ekspozitë, duke iu rikutjtuar edhe një herë se disa eksponate, siç janë armët e familjes Jashari, shfaqen për herë të parë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe brenda kufijve të Shqipërisë. Simbolika e tyre dhe e gjithë ekspozitës na thërret dhe një herë që të jemi shumë të kujdesshëm dhe të kemi një memorie të fortë për të gjitha ngjarjet historike dhe për të mos i lejuar më që të përsëriten ashtu si ka ndodhur shpesh me disa ngjarje të ndryshme në rrjedhën e shekujve”, tha Labi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë. Ekspozita tematike dokumentare paraqet fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së UÇK-së, përkatësisht të heroizmit të Familjes Jashari, si dhe flijimin me vetëdije të lartë kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Materialet muzeore, që prezantohen në këtë ekspozitë janë: eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta dhe gazeta të kohës që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e Jasharëve. (Kosovapress)