Armëpushimi në Ukrainë po respektohet pjesshëm

Megjithë armëpushimin e dakorduar, të dielën janë dëgjuar të shtëna të vazhdueshme afër Donjeckut, në pjesën lindore të Ukrainës, dhe është parë tym i zi. Kjo i ka rritur shqetësimet se armëpushimi, i filluar para dy ditësh, është afër shkeljes.

Bota

07/09/2014 11:50

Si raporton REL, predhat kanë ardhur nga një hapësirë afër aeroportit të Donjeckut, që është nën kontrollin e forcave qeveritare, por që është sulmuar rregullisht nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Gjatë natës, në qytetin port Mariupol, në Detin Azov, ka pasur po ashtu shkelje serioze të armëpushimit, kur forcat qeveritare ishin sulmuar me artileri dhe raketa të separatistëve.

Mbrëmë, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ai i Rusisë, Vlladimir Putin, gjatë një bisede telefonike thanë se armëpushimi në masë të madhe po respektohej.