Armend Muja në mbrojtje të statistikave të shefit, Rukiqi ia përmend parashikimin e Bankës Botërore

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka vazhduar të polemizojë në komente në statusin e tij në Facebook ku ka kontestuar të dhënat e publikuara nga kryeministri Kurti që kanë të bëjnë me rritje ekonomike, rritje të eksportit, të vendeve të punës e të performancës së bizneseve. Në një status të tij, Rukiqi ka radhitur…

Lajme

08/10/2022 22:51

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka vazhduar të polemizojë në komente në statusin e tij në Facebook ku ka kontestuar të dhënat e publikuara nga kryeministri Kurti që kanë të bëjnë me rritje ekonomike, rritje të eksportit, të vendeve të punës e të performancës së bizneseve.

Në një status të tij, Rukiqi ka radhitur 3 arsye pse të dhënat e paraqitura nga Kurti sipas tij janë të pasakta dhe tendencioze, por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja i ka komentuar duke kontestuar statusin e tij, shkruan lajmi.net.

Në komentin e Mujës, paraqitet një grafikon që konteston argumentimin e Rukiqit se qarkullimi i bizneseve është rritur për shkak të inflacionit. Sipas Mujës, rritja reale e konsumit, investimeve, eksportit dhe IHD-së tregojnë që ka pasur përmirësim të qarkullimit të bizneseve.

Por, e menjëhershme ishte përgjigja e Rukiqit, i cili thotë se e ka thjeshtësuar edhe më tutje shpjegimin e tij se si ka ardhur deri tek rritja e qarkullimit të bizneseve.

Rukiqi thotë se një familje që ka blerë vezë, vaj, bukë dhe sheqer në vlerë 10 euro në vitin 2021, të njëjtat sot i kushtojnë 12 euro, ndërsa marketi ku ajo familje i ka blerë këto produkte në vitin 2021 nga e njëjta familje i ka arketuar 10 euro, dhe nga e njëjta këtë vit arketon 12 euro.

Sipas Rukiqit, këto 12 euro nuk janë rezultat i ndonjë shpenzimi shtesë që bën familja, por rezultat i rritjes së çmimeve.

Ai gjithashtu ia ka përmendur Mujës edhe parashikimin e Bankës Botërore se këtë vit në Kosovë do të ketë vetëm 3.9 përqind rritje ekonomike, duke i thënë se nëse do të kishte rritje reale të konsumit, investimeve publike e private dhe rritje të eksportit, parashikimet do të ishin më pozitive.

Ndërkohë, kryeministri Kurti sonte ka publikuar një status me disa të dhëna ku pretendon se në Kosovë ka pasur rritje ekonomike, të vendeve të punës, eksportit e të performancës së bizneseve. /Lajmi.net/