ARKEP-i thotë se ka fituar kontestin gjyqësor në vlerë prej 11 milionë euro

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) bën të ditur se ka fituar kontestin gjyqësor ndaj ndërmarrjes “Aurora Israphone” në vlerë prej 11 milionë euro.

Lajme

09/11/2018 17:01

ARKEP sot ka pranuar, pas një procesi të gjatë gjyqësor, aktgjykimin refuzues, me numër 624/16, nga Gjykata Themelore – Departamenti për çështje ekonomike në Prishtinë ndaj kërkesëpadisë së ndërmarrjes “Aurora Israphone” me objekt të kontekstit “Kompensimi dëmit për fitimin e humbur”, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Më tutje thuhet se ky proces ka filluar që nga viti 2010, ku janë mbajtur një numër mjaft i madh i seancave gjyqësore, e ku pala paditëse ka kërkuar kompensimin e dëmit në vlerë prej 11 milionë eurosh nga PTK dhe ARKEP-i.

Po ashtu në njoftim thuhet se në këtë proces ARKEP është përfaqësuar dinjitetshëm dhe në mënyrë profesionale nga zyrtarët: Rrezarta Ajeti dhe Ilir Imeri. Kështu, pas një periudhe të gjatë të shqyrtimit të kësaj lënde, në të cilin janë trajtuar një numër i konsiderueshëm i provave materiale, ARKEP ka arritur me sukses të dëshmoj dhe vërtetoj të drejtën e saj, si një rregullator i pavarur dhe i pa anshëm ndaj të gjithë ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës.

Në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji për Komunikimet Elektronike, ARKEP thotë se mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mosdiskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. /Lajmi.net/