Arifi: Taksa i ka dëmtuar bizneset në Preshevë, kemi kërkuar zgjidhje nga Qeveria e presidenti

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për lajmi.net ka folur për efektet që ka pasur taksa e Qeverisë së Kosovës në bizneset e shqiptarëve në komunën e tij.

Lajme

12/01/2019 20:57

Sipas Arifit, vendimi për taksën duhet të kishte qenë më gjithëpërfshirës, dhe se duhet të mendohej më shumë edhe për shqiptarët e Preshevës.

“Bizneseve tona lokale dhe atyre që punojnë aty, ia ka dëmtuar bizneset dhe duhet të largohen tash nga puna. Ne jemi pro taksës, por duhet të kemi parasysh që është dashur të mendohet një mënyrë pak më inkluduese”, ka thënë ai.

Teksa thotë se taksa i ka dëmtuar edhe prodhuesit nga Presheva, Arifi shton se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga Presidenti Thaçi që të gjindjet një zgjidhje.

Sipas tij, për këtë ai ka propozuar një fond akumulues.

Intervista e plotë:

“Po kemi kërkuar, por kanë thënë se nuk mundemi, po e kuptoj që nuk mujmi. Kam dashtë me qenë më pragmatik dhe i kam ofruar edhe presidentit edhe Qeverisë një mekanizëm konkret, i cili me vendosjen e taksës do ta balanconte situatën.  Bëhet fjalë për një fond që akumulon mjete financiare dhe i cili del edhe në Luginën e Preshevës”, ka thënë ai.

“ Në qoftë se do të ishte pranuar kjo ide, atëherë përmes këtij fondi, do të mund ti subvenciononim këto biznese lokale. Kjo është kritika ime jashtë asaj që taksa është vendim i duhur ndaj politikës serbe, mirëpo vendimi duhet të ishte më inkludues. Në fund të fundit ne po e paguajmë çmimin, të rinjtë dhe të rejat tona po ikin”, ka thënë tutje Arifi.

Arifi në këtë intervistë për lajmi.net ka thënë se të gjitha bizneset lokale në Preshevë paguajnë taksë.

“Nuk po dua të them se kjo është lojë politike, mirëpo në kësi rrethana, i dobëti duhet të largohet, mirëpo do të ishim shumë më mirë nëse do të kishim një politikë edhe me Shqipërinë e inkluduar”, ka thënë ai.

“Aktualisht të gjitha bizneset në luginë të Preshevës paguajnë taksë”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/