Arifaj thotë se ftesa e Thaçit ishte e sinqertë

Analisti i deritashëm politik ishte kritik në shumë raste ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës ka vendosur të bëhet. Arifaj në një rast e kishte akuzuar Qeverinë për shkeljen e aktit më të lartë të shtetit, Kushtetutës, kurse për aferën “Pronto” nuk është asgjë e re, pasi që dihej se Qeveria funksiononte në këtë mënyrë. 

Lajme

21/04/2014 20:58

“Skena politike ka treguar që di t’i kapërdijë fjalët e veta dhe, nuk është hera e parë që njerëzit, të cilët e kanë akuzuar njëri-tjetrin me fjalë dhe fyerje më të rënda, të hyjnë në koalicion”, ka thënë Arifaj, transmeton KTV.

Analisti Ardian Arifaj, në një intervistë të realizuar shumë më herët, besonte se në aferën ‘Pronto’ nuk kishte asgjë të re, sepse dihej mënyra se si njerëzit fitonin punë në këtë qeveri.

“Kemi menduar që këta janë personat që përgjohen më shumë se sa përgjojnë dhe normalisht që ka aktivizuar një kureshtje të madhe për të dëgjuar se çfarë ka në këto biseda”.

“Nuk është sekret që pushteti politik përdoret për t’i punësuar njerëzit e afërt”.

Kritik, Arifaj ka qenë edhe ndaj Serbisë, duke thënë se Kosova nuk fiton asgjë pos që e ndihmon rrugën e Beogradit drejt BE-së.

Në një shkrim me titull të tijin ‘Vetëfundosja’, publikuar në gazetën Jeta në Kosovë, ai në janar të vitit 2012 kishte shkruar mes tjerash:

“Refuzimi që të respektohet ligji e në këtë rast shkelja e aktit më të lartë të vendit, Kushtetutës së Kosovës, nga ana e Qeverisë, më shumë se çdo gjë tjetër e fundos shtetin e Kosovës”.

Të njëjtës Qeveri me të njëjtin kryeministër në krye, ai ju bashkua të dielën, duke thënë se oferta e kryeministrit Thaçi ishte e sinqertë.

Arifaj ka punuar mes tjerash në KIPRED, ICO e UNMIK, por ka thënë se do të bëhet pjesë vetëm e Qeverisë Thaçi e jo edhe e PDK-së, informon KTV.