Arifaj: Mitrovica dhe ‘Trepça’ nuk preken kurrë, s’ka marrëveshje që e dëmton Kosovën

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ka siguruar se Mitrovica dhe Trepça nuk do të preken kurrë.

Lajme

26/02/2019 18:59

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka thënë se Marrëveshja me Serbinë për Kosovën ka kuptim vetëm nëse i sjell njohje dhe ulëse në OKB.

Në emisionin në Klan Kosova, Arifaj deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje e cila prek dhe cenon ndonjë pikë strategjike të Kosovës.

“Për Kosovën ka kuptim vetëm nëse marrëveshja sjell njohjen nga Serbia dhe ulëse në OKB. Vetëm kjo marrëveshje ka kuptim për Kosovën dhe do ta gëzojë përkrahjen e çdo qytetari. Nuk po kërkojmë diçka të përkohshme. Politika po tregohet se e pengon zhvillimin ekonomik, dekurajon investitorët. Pengesë për investitorët e mëdhenj është paqartësia politike, jo vetëm për Kosovën, por të gjithë rajonin”.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse përfundimtare e paqes nuk do t’i cenojë asnjëherë pikat strategjike të Kosovës. Është një vijë e kuqe e trashë – Mitrovica dhe Trepça nuk preken kurrë”.