Arben Gashi demanton LDK-në: Nuk folëm për postin e kryeministrit

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ditë më parë ka dalë hapur kundër marrëveshjes së bllokut që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj të jetë kryeministër, sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij, ka demantuar njoftimin e lështuar për media nga LDK, ku thuhet se grupi është unik rreth kësaj teme. 

Lajme

26/09/2014 20:03

Ai kishte thënë së ideale do të ishte që kryeministër të jetë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kurse Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj të marrin pozitat e zëvendëskryeministrave.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku përmes një komunikate u tha se ky grup është unik, Arben Gashi për Indeksonline ka thënë se në mbledhjen e sotme të GP-së nuk është diskutuar kjo çështje.

Ai tha se në këtë mbledhje ka përkrahur bashkëpartiakët për vijimin e seancës konstituive, derisa ka bërë me dije se nuk është diskutuar për emra dhe ndarjen e posteve qeveritare.

“Siç e keni parë edhe në komunikatën e lëshuar nga LDK-ja, në mbledhjen e deputetëve të partisë është diskutuar për përgatitjet lidhur me vijimin e seancës së ardhshme konstituive, por nuk janë përmendur emra për kryeministër”, ka thënë Gashi.

Kundër Haradinajt kryeministër sot ka dalë edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj.