Arban Abrashi, kandidati konsensual për Kryetar të LDK-së?

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se tashmë është arritur marrëveshja për një kandidat konsensual për Kryetar të LDK-së, i cili do të shpallet nesër në Kuvendin Zgjedhor.

Lajme

02/08/2019 23:36

“Është e vërtetë se është arritur marrëveshja për një kandidat konsensual për Kryetar, i cili formalisht do të shpallet nesër në orën 10:00 në Kuvendin e LDK-së”, ka thënë Haziri, në një linjë të drejtpërdrejtë me Debat Plus në TV Dukagjini.

Por, Haziri nuk ka përmendur Isa Mustafën. Ai vetëm ka thënë se është arritur marrëveshja për një kandidat konsensual.

Burimet thonë se ka pasur zhvillime interesante në orët e mbrëmjes, ku pas disa takimeve është vendosur që emri konsensual për ta udhëhequr LDK-në është ai i Arban Abrashit.

Duket se synimet e forta të Isa Mustafës, Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut për ta marrë drejtimin e LDK-së e ka pamundësuar arritjen e konsensusit rreth ndonjërit prej këtyre emrave.

Prandaj, thonë burimet, është gjetur “mesi i artë” me Arban Abrashin, i cili ka raporte të mira me të dy krahët, ndërkohë që elektoratit do t’i përçohet ideja e reformave në këtë parti me të rinjtë e saj.

Vetë Abrashi, gjatë ditës së djeshme, ka thënë se nuk e ka menduar të kandidohet për Kryetar të LDK-së.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se është i kënaqur që LDK po shkon drejt marrëveshjes së madhe, e që sipas tij “do ta bëjë kthimin e madh të LDK-së”.

Ai ka thënë se Fatmir Sejdiu ka shprehur gatishmërinë te jetë pjesë e procesit.

Kuvendi Zgjedhor i LDK-së do të mbahet nesër, më 3 gusht 2019, në Hotel Emerald, duke filluar nga ora 10:00.

Kryetarin e ri të LDK-së do ta zgjedhin 355 delegatë.