Presidenti Thaçi shpall “Hero të Kosovës”, policin e ndjerë Izet Demaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur zyrtarisht “Hero të Kosovës”, policin e vrarë Izet Demaj.

Lajme

07/01/2019 11:29

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur “Hero të Kosovës”, Izet Demajn, policin i cili u vra në Istog gjatë kohës së ishte në detyrë, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, Presidenca ka bërë të ditur se këtë vendim Thaçi e ka marrë duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, polici Izet Demaj është vrarë më 27 dhjetor të vitit 2018 pas një konflikti me një grabitës në një bankë në Istog.

Njoftimi i plotë i Presidencës pa ndërhyrje:

Izet Demaj shpallet zyrtarisht “Hero i Kosovës” nga presidenti Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”.

Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje.

Vendimi, certifikata dhe urdhri “Hero i Kosovës” do t’i dorëzohen familjes Demaj. /Lajmi.net/