APK-ja nuk gjen konflikt interesi në konkursin për rekrutimin e 28 prokurorëve të shtetit

 Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në opinionin e 16 gushtit 2024, ka konstatuar se nuk ka prova që argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit lidhur me konkursin për rekrutimin e 28 kandidatëve për prokurorë të shtetit në Prokuroritë Themelore të Republikës së Kosovës.   Fillimisht, APK-ja thekson se ka pranuar disa kërkesa…

Lajme

31/08/2024 16:35

 Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në opinionin e 16 gushtit 2024, ka konstatuar se nuk ka prova që argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit lidhur me konkursin për rekrutimin e 28 kandidatëve për prokurorë të shtetit në Prokuroritë Themelore të Republikës së Kosovës.

 

Fillimisht, APK-ja thekson se ka pranuar disa kërkesa me dyshimin për konflikt të interesit lidhur me konkursin për rekrutimin e 28 kandidatëve për prokurorë të shtetit, konkurs i cili ishte shpallur më 15 janar 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.

 

Konkretisht, sipas APK-së janë ngritur dyshime për konflikt interesi- afërsi familjare mes zëvendëskryesueses së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jehona Grantolli, njëherësh anëtare e Komisionit për rekrutim, me kandidatin Dardan Makolli, pasi pretendimi ka qenë se e ka djalë të axhës.

 

Dyshime sipas opinionit të APK-së, ka pasur edhe për ish-kryesuesin i Komisionit për rekrutim, Aleksandër Lumezi me kandidaten Nita Lumezi, me pretendimin se kjo e fundit është vajza e Lumezit.

 

Tutje, dyshimet u ngritën edhe se anëtari i KPK-së, Jetish Maloku ka afërsi familjare me kandidatin Vilson Maloku, konkretisht pretendimet se janë prind-fëmijë mes vete.

 

Po ashtu, sipas opinionit dyshime ka pasur edhe për ish-Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala për afërsi familjare me kandidaten Ariana Shala, konkretisht pretendimet se janë çift bashkëshortor.

 

Dhe krejt në fund, dyshime për afërsi familjare mes prokurorit special Ilir Morina me kandidatin Lutfi Morina, konkretisht pretendimet se janë vëllezër mes vete.

 

Aty thuhet se dyshime janë ngritur edhe për konflikt interesi në atë se disa kandidatë që kanë kaluar fazën e dytë (testin me shkrim) kanë qenë zyrtarë ligjorë apo bashkëpunëtorë profesionalë në sistemin prokurorial kanë raporte (profesionale) me anëtarët e KPK-së dhe anëtarët e Komisionit për rekrutim, përkatërisht punojnë në prokuroritë që udhëhiqen nga të lartpërmendurit. Po ashtu, thuhet se pretendime janë paraqitur edhe lidhur me afërsinë shoqërore të kandidatëve apo familjarëve të tyre me anëtarët e Komisionit, madje edhe të tilla pretendime se disa kandidatë janë nga vendi i njëjtë me anëtarë të caktuar të Komisionit.

 

Gjithnjë sipas këtij opinioni, thuhet se dyshimet kanë qenë edhe për procedurën e testit me shkrim, si: kandidatë të caktuar e kanë poseduar testin paraprakisht, përzgjedhja e detyrës me shkrim nga Komisoni është bërë në atë mënyrë që vetëm kandidatët që e kanë pasur detyrën paraprakisht e kanë kaluar, duke u diskualifikuar kandidatët që nuk kanë pasur lidhje familjare paraprakisht.

 

Por, APK ka sqaruar se bazuar në kompetencat ligjore që ia njeh Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ka trajtuar dhe shqyrtuar pretendimet vetëm sa i përket konfliktit të interesit në kuptim të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

 

Agjencia thekson se në këtë opinion sipas pretendimeve rreth konkursit, janë trajtuar çështjet vetëm deri te përfundimi i fazës me shkrim-rezultateve të testit me shkrim.

 

Për sqarimin e situatës, APK njofton se kishte kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni për rekrutim informacione, sqarime e dokumente lidhur me konkursin. Si dhe nga Agjencia e Regjistrimit Civil- Ministria e Punëve të Brendshme, informata dhe dokumentacion rreth pretendimeve për lidhje eventuale familjare të kandidatëve me anëtarët e KPK-së dhe Komisionit.

 

Sipas opinionit, thuhet se nga përgjigja që APK ka pranuar nga KPK, Aleksandër Lumezi ka kërkuar përjashtimin nga procedura e rekrutimit për shkak të konfliktit të interesit dhe me këtë rast kërkesa është pranuar dhe i njëjti është zëvendësuar me anëtar tjetër në Komisionin për rekrutimin e prokurorëve të rinj.

 

Lidhur me dyshimet për afërsinë eventuale familjare të kandidatit për prokuror, Dardan Makolli me anëtaren e Komisionit njëherësh zëvendëskryesuesen Jehona Grantolli, APK ka gjetur se Makolli nuk është person i afërm deri në shkallën e katërt të vijës së tërthortë të gjinisë së gjakut.

 

“…gjë që nënkupton se dy subjektet e juaja Jehona Grantolli dhe D.M nuk kanë lidhjen familjare vajzë-djalë axhe”, thuhet në opinion të jetë përgjigjur ARC-ja.

 

Prandaj, sipas opinionit nuk ka lidhje familjare në rastin konkret që do të ishte ndalesë sipas dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

 

Kurse, për pretendimin për lidhje familjare mes ish-kryesuesit të komisionit, Alesandër Lumezit me kandidaten Nita Lumezi, nga përgjigja e ARC-së ka rezultuar se dy të lartpërmendurit janë prind (baba)- fëmijë (vajzë). Por, theksohet se Lumezi ka kërkuar vetë tërheqjen nga komisioni, tëheqje e cila është aprovuar dhe është shmangur konflikti i mundshëm i interesit.

 

Afërsi familjare është gjetur edhe mes kandidatit për prokuror Vilson Maloku me anëtarin e KPK-së, Jetish Maloku, do të thotë janë babë e bir.

 

“Rrjedhimisht, kandidati V.M është person i afërm në vijë të drejtë të gjinisë së gjakut, e z.Jetish Maloku”, thuhet në opinion.

 

Mirëpo sipas opinionit, Jetish Maloku nuk ka qenë as anëtar i Komisionit për rekrutim e as i atij për rishqyrtim dhe meqenëse Komisionet janë themeluar para se të fillojë afati për aplikim në konkurs, rezulton se edhe në këtë rast nuk ka konflikt interesi.

 

Megjithatë, Agjencia i ka rekomanduar Jetish Malokut që derisa djali i tij është pjesë e konkursit, të deklarojë dhe të tërhiqet nga çdo diskutim, votim dhe vendimmarrje e KPK-së që lidhet me konkursin në fjalë.

 

Për lidhjen familjare midis ish-Kryeprokurorit Admir Shala me kandidaten Ariana Shala, për të cilën është dyshuar se e ka bashkëshorte si dhe afërsisë së dyshuar familjare midis prokurorit special Ilir Morina me kandidatin Lutfi Morina, për të cilin është dyshuar se e ka vëlla, sipas APK-së meqenëse prokurorët në fjalë nuk kanë qenë pjesë e procesit të konkursit për rekrutim të prokurorëve të rinj, përkatësisht anëtarë të KPK-së, nuk është parë e rëndësishme të merret një konstatim i tillë nga ARC-ja.

 

Gjithashtu, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se nga dokumentacioni dhe shkresat e lëndës, nuk është gjetur që ndonjë anëtar i Komisionit për rekrutim apo atij për rishqyrtim të ketë lajmëruar (njoftuar me shkrim) ndonjë rast të tentimit apo ushtrimit të ndikimit në vullnetin e tyre lidhur me procesin e konkursit për prokuror të shtetit. Këtë gjë, thuhet se ua ka konfirmuar edhe KPK-ja në përgjigje.

 

Më tej, thuhet se sipas përgjigjes së kryesuesit të Komisionit për rekrutim, rezulton se në mesin e kandidatëve që kanë kaluar testin me shkrim, ka kandidatë në pozita të ndryshme, si: bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë edhe nga Prokuroritë por edhe nga Gjykatat e Kosovës. Ndërsa, nga përgjigja e KPK-së rezulton se bashkëpunëtorët profesionalë dhe zyrtarët ligjorë në sistemin prokurorial kanë statusin e shërbyesit civil dhe të njëjtit i raportojnë administratorëve në Prokuroritë ku punojnë.

 

Sipas APK-së, këto raporte janë raporte profesionale të punës.

 

Situata të konfliktit të interesit, Agjencia nuk i ka konsideruar as pretendimet në lidhje me afërsinë shoqërore të kandidatëve apo familjarëve të tyre me anëtarët e Komisionit apo pretendimet se janë nga vendi i njëjtë me ta. APK thotë se nuk konsiderohen si raporte që subjektet në proces i kualifikojnë si persona të afërm mes vete.

 

Më tej, thuhet se procesi do të vazhdojë me fazën e intervistimit në shtator, andaj KPK ende nuk ka dorëzuar raport përfundimtar.

 

APK ka sqaruar se edhe pse kanë pranuar kërkesa për të pasur qasje në kamerat e sigurisë për të parë nëse dikush ka fotografuar, nxjerrë apo shpërndarë testin, mirëpo sipas APK-së nuk është parë e nevojshme ndërmarrja e një veprimi të tillë për të konstatuar konfliktin e mundshëm të interesit.

 

Në fund, APK-ja ka sqaruar se ka trajtuar vetëm pretendimet që lidhen me situatat e mundshme të konfliktit të interesit dhe jo ato që lidhen me (pa)rregullsitë e procesit, (pa)përshtatshmërinë e kandidatëve dhe pretendime tjera që janë jashtë mandatit dhe kompetencave ligjore të Agjencisë.

 

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” në prill të këtij viti kishte raportuar se si në këtë konkurs kishin aplikuar vajza, djem dhe të afërm të prokurorëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial./BetimipërDrejtësi