Apeli kërkon që të vazhdojë gjykimi kundër dy ish-ekspertëve të OSHP-së, ndaj të cilëve ishte hedhur aktakuza për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të ushtruar më 23 prill 2018, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Durim Ramadanit dhe Zeqir Fetoshit, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

27/06/2018 16:58

Sipas Apelit, procedura për Ramadanin dhe Fetoshin, të cilët akuzohen se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, do të vazhdohet sipas dispozitave procedurale dhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë do të ndryshohet.

Për pranimin e kërkesave për hudhje të aktakuzës, të avokatëve Ramë Gashi dhe Etem Rugova, mbrojtës të të akuzuarve Ramadani dhe Fetoshi, Gjykata e Apelit në vendimin e saj  thotë se Gjykata Themelore gabimisht ka aprovuar këto kërkesa të mbrojtjes së të akuzuarve, në rastin kur ka hedhur aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

“Në rastin konkret në bazë të provave dhe shkresave të tjera ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Ramadani dhe Fetoshi kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen nga Prokuroria dhe se gjykata e shkallës së parë ka nxjerr përfundim të gabuar lidhur me këtë rast”, thuhet ndër tjera në aktvendimin e Apelit, shkruan Betimiperdrejtesi.com.

Ndërsa, sipas Apelit, edhe ndaj të akuzuarit të tretë Armend Selimi, ndaj të cilit gjykata kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, do të vazhdojë procedura gjyqësore në shkallë të parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill të këtij viti, kishte aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës ndaj Durim Ramadanit dhe Zeqir Fetoshit, pasi që lidhur me kundërshtimet e tyre, për rreth gjashtë muaj nuk kishte dhënë përgjigje prokurorja e këtij rasti, Dulina Hamiti.

Aktakuza ndaj Durim Ramadanit dhe Zeqir Fetoshit, ishte ngritur me arsyen se të njëjtit kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare lidhur me autorizimin e përdorur nga i akuzuari Armend Selimi, pasi që të njëjtit kishin konstatuar se autorizimi i tij është origjinal dhe në bazë të këtij autorizimi kompania NTP “Friends”, kishte arritur të fitonte tenderin.

Ndërsa, për Armend Selimin, i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim të dokumentit publik, gjykata kishte vendosur që të mos e hudh poshtë aktakuzën dhe shqyrtimi ndaj tij, do të caktohej më vonë.

Këtë vendim, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, pasi që kishte paraqitur katër herë kërkesë te prokurorja Dulina Hamiti, që të jap një përgjigje lidhur me kundërshtimet e mbrojtësve Etem Rogova, Ramë Gashi dhe Florent Latifaj.

Sipas gjykatësit Ibrahimi, gjykata kishte kërkuar nga prokurorja të sqarojë provat e paraqitura në aktakuzë, por sipas tij, ajo nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Pas kaq muajsh, sipas gjykatës, prokuroria kishte kthyer një përgjigje në stilin, siç thuhej në aktvendim “copy-paste” që përdoret për të mos dhënë asnjë arsyetim pse prokuroria i konsideron kundërshtimet e mbrojtësve të pabazuara.

Arsye tjetër e hudhjes së kësaj aktakuze, sipas këtij aktvendimi, është se nuk është vërtetuar se qysh të akuzuarit Ramadani e Fetoshi, i kanë kryer veprat penale të pretenduara nga Prokuroria.

Sipas aktvendimit, nga shkresat e prezantuara nga prokurorja dhe mbrojtësit e të akuzuarve rezultonte se këta të akuzuar nuk ishin deklaruar lidhur me origjinalitetin e autorizimit të Armend Selimit, e për më tepër në fund të ekspertizës së tyre kishin dhënë mendimin se tenderi duhej të anulohej dhe në rivlerësim të kërkohej për sqarime lidhur me këtë operator ekonomik.

Sipas aktvendimit të gjykatësit Ibrahimi, prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Ramadanit dhe Fetoshit, për veprimet me të cilat ata kishin kërkuar anulimin e tenderit dhe rivlerësimin e dokumentacionit të ofruar nga ajo kompani.

Përndryshe, në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 22 mars të këtij viti, prokurorja Hamiti nuk kishte prezantuar në seancë, por në vend të saj kishte qenë prokurori Arian Gashi, i cili kishte kërkuar kohë të deklarohej lidhur me kërkesën e gjykatës për një përgjigje të mirëfilltë për kundërshtimet e mbrojtësve.

Që nga 28 gushti i vitit 2017 kur kishte përfunduar shqyrtimi fillestar ndaj këtyre të akuzuarve, mbrojtësit e tyre kishin paraqitur brenda 30 ditëve kundërshtimet e tyre, mirëpo prokurorja Hamiti nuk kishte kthyer përgjigje të duhur.

Ndërsa, më 30 janar 2018, kishte dështuar të mbahej seanca tjetër në këtë rast, pasi kishte munguar prokurorja Dulina Hamiti.

Për mungesën e saj në seancë si dhe për mungesën e përgjigjes lidhur me kundërshtimin e provave, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, kishte deklaruar se do ta njoftonte edhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumnezi.

Ibrahimi kishte deklaruar se gjykata kishte kërkuar nga prokurorja që të analizojë dhe të japë përgjigje profesionale, lidhur me kundërshtimet e provave dhe hudhjen e aktakuzës, mirëpo e njëjta sipas tij, as nuk kishte dhënë përgjigje lidhur me këto kërkesa dhe as nuk ishte paraqitur në gjykatë.

“Unë kam dërguar tre shkresa në prokurori, për deklarim lidhur me kundërshtimet që kanë paraqitur tre të akuzuarit, me qëllim që prokurorja të përgjigjet në formë të shkruar, që t’i analizoi detajisht shkresat e lëndës dhe të japë një analizë dhe përgjigje profesionale. Mirëpo, për asnjërën shkresë gjykata nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga prokurorja, e cila ka qenë e njoftuar për seancën e sotme”, kishte deklaruar gjykatësi Ibrahimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Armend Selimi, në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitoi një tender.

Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM. Me këtë rast, ai konsiderohet se ka kryer veprat penale mashtrim dhe falsifikim, vepra të dënuara më Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, të akuzuarit Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi, sipas aktakuzës, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ata thuhet se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend  Selimi, pretendohet se i kishte falsifikuar dokumentet.

Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtin sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson &Friends” në Londër është i falsifikuar, dhe se këtë  autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.

Në bazë të kësaj, ata thuhet se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe prapë  kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale. Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitoi tenderin.