Apeli ia vërteton dënimin me 17 vjet burgim vëllait të Butës për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin më 30 prill 2024 Qëndrim Januzi u dënua 17 vite burgim për akuzën se privoi nga jeta G.H, në maj të 2022-ës në Ferizaj. Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, përfaqësuesit të autorizuar të palës…
Lajme
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin më 30 prill 2024 Qëndrim Januzi u dënua 17 vite burgim për akuzën se privoi nga jeta G.H, në maj të 2022-ës në Ferizaj.
Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar V.H., dhe ankesën e përbashkët e mbrojtësve të të akuzuarit Januzi, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, Apeli thekson se kundër vendimit të Themelores në afatin ligjor ankesë kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Ferizaj për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje apo të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor sipas propozimit në aktakuzë dhe t’i shqiptohet dënim më i lartë me burgim.
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi kishte paraqitur ankesë për shkak të vendimit për dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të lartë me burgim sesa që ka shqiptuar Themelorja.
Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Florin Vërtopi dhe Arian Hetemi, paraqitën ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje apo të ndryshohet, ashtu që i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe t’i shqiptohet dënim dukshëm më i butë.
Mbrojtja e të akuzuarit, po ashtu ka paraqitur përgjigje në ankesën e Prokurorisë, duke kërkuar që ankesa e Prokurorisë dhe palës së dëmtuar të refuzohen si të pabazuara dhe të veprohet përkitazi me ankesën e paraqitur nga mbrojtja.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje penalo-juridike, studio aktgjykimin e ankimuar dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa dhe përgjigje të ankesës, gjeti se ankesat nuk janë të bazuara.
Gjykata e Apelit, vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet se ka shkelje të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit.
Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, e po ashtu, ka mbështetje në prova dhe shkresa tjera të lëndës dhe atë, së pari përkitazi me motivin e kryerjes së veprës penale, pastaj mënyrën e kryerjes së veprës penale.
“…nga dëshmitarët R. S., V. H., , A. S., B. J., B. B., R. Z., dhe L. L., por, edhe nga vetë mbrojtja e të akuzuarit janë vërtetuar raportet jo të mira në mes të akuzuarve dhe tani të ndjerit G. H. të cilët më parë kishin qenë shokë të mirë në mes veti, kurse, më vonë marrëdhëniet e tyre ishin prishur dhe atë një kohë të gjatë para ditës kritike, në fillim për shkak të një borxhi që e kishte kërkuar tani i ndjeri nga i akuzuari dhe së fundi edhe për shkak të djegies së automjetit të akuzuarit, ku për këtë, i akuzuari me anëtarët e tjerë të familjes së tij, kishte dyshuar në tani të ndjerin, e që më pastaj, ditën kritike ka ardhur edhe deri tek privimi nga jeta e tani të ndjerit G.H”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, përveç, motivit, në dispozitiv janë përshkruar edhe veprimet inkriminuese të akuzuarit Januzi, që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale të “Vrasjes”, ku përveç, dispozitivit edhe nga përmbajtja e arsyetimit të aktgjykimit të ankimuar në mënyrë të qartë rezulton se bëhet fjalë për “Vrasje” e jo të “Vrasje të kryer nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore”, sikur që pretendon mbrojtja, e as për “Vrasje të rëndë” sikurse pretendon Prokuroria.
Apeli thekson se në rastin konkret nuk është vërtetuar as elementi subjektiv e as objektiv i veprës penale “Vrasje e rëndë”, për çka, thotë se më pastaj, në këtë drejtim edhe është bërë me të drejtë ricilësimin e veprës penale në “Vrajse”.
Shkalla e dytë vlerëson se aktgjykimi i Themelores është në përputhshmëri të plotë me arsyetimin. Aty thuhet se janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe përkitazi me vlerësimin e provave materiale në shkresa të lëndës, duke përfshirë këtu edhe ekspertizën e psikiatrisë, ku me të drejtë edhe konstatohet se në bazë të fakteve dhe rrethanave të vërtetuara nga palët, nuk mund të vërtetohet se ka qenë mënyra e sjelljes së tani të ndjerit ajo që e ka sjellë të akuzuarin në tronditje të fortë mendore, e që edhe ka mundur të ndikojë në kryerjen e veprës penale.
Sipas Apelit, nga provat materiale pa dyshim vërtetohet se ditën kritike tani i ndjeri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim inkriminues në drejtim të të akuzuarit, e që me këtë, nuk qëndron po ashtu pretendimi ankimor se gjykata e shkallës së parë, pa të drejtë ka refuzuar propozimet e mbrojtësve të të akuzuarit për ekspertizë tjetër psikiatrike, për dëgjimin edhe të dëshmitarëve të tjerë, rikonstruimin e vendit të ngjarjes, për leximin e deklaratave të dëshmitarëve, të dhëna në Polici dhe Prokurori.
“Prandaj, qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme asnjë fakt nuk ka ngelur i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejtë ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë”, thuhet në vendim.
Më tej, Apeli vlerëson se në bazë të provave dhe shkresave tjera në lëndë, është vërtetuar gjendja faktike në mënyrë të plotë dhe atë duke marrë parasysh mbrojtjen e të akuzuarit, deklaratat e dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, por edhe provat, prandaj thekson se nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sikur që pretendohet në ankesën e përbashkët të mbrojtësve të të akuzuarit.
Kështu, sipas vendimit të Apelit duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e cekura si dhe rrethanat dhe arsyet më detajisht të theksuara në aktgjykimin e ankimuar, rezulton se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë, se i akuzuari Januzi ka kryer veprat për të cilat është dënuar, është i drejtë dhe se pa dyshim është vërtetuar se i akuzuari ka ndërmarrë të gjitha veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprave penale për të cilat edhe është shpallur fajtor.
Prandaj, thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit, sikur që pretendon mbrojtja, gjegjësisht, në favor të të akuzuarit, sikurse pretendon Prokuroria në ankesën e saj.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, të pabazuara janë edhe pretendimet përkitazi me dënimin. Aty thuhet se gjykata e shkallës së parë, drejt dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Apeli thekson se Themelorja si rrethana lehtësuese ka marrë faktin se i akuzuari pjesërisht e ka pranuar fajësinë për veprën penale të “Vrasjes”, por sipas kualifikimit tjetër nga aktgjykimi i ankimuar, se i njëjti është penduar, gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore, për çka, edhe është dashur të operohet disa herë dhe se i ka kërkuar falje familjes së tani të ndjerit.
Kurse, thuhet se rrethana rënduese janë marrë mënyra e kryerjes së veprës penale, gjegjësisht mënyra se si ka ardhur deri tek privimi nga jeta i tani të ndjerit G.H., shkallën e lartë të dashjes- këmbëngulësinë në kryerjen e veprës penale, pastaj faktin se i akuzuari ka qenë i dënuar edhe më parë dhe mbi këto u dënua me dënim unik me 17 vjet burgim.
Sipas Apelit, pretendimet e Prokurorisë nuk janë të bazuara, ngase Prokuroria në ankesë përveç që i përsërit rrethanat rënduese të potencuara nga gjykata e shkallës së parë, nuk ka cekur asnjë rrethanë tjetër me ndikim për shqiptimin e dënimit tjetër nga ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë. Edhe në pretendimet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, thuhet se në tërësi rezulton se flitet më shumë për kualifikimin juridik të veprës penale dhe atë duke pretenduar se i akuzuari është dashur të shpallet fajtor për vepër penale të “Vrasjes së rëndë”, e jo të “Vrasjes”, e që me këtë edhe dënimi konsiderohet që është i butë.
Po ashtu, thuhet se edhe pretendimet ankimore të mbrojtësve të të akuzuarit nuk janë të bazuara, ngase, në ankesë nuk theksohet asnjë rrethanë tjetër lehtësuese që do të ndikonte në zbutjen e dënimit, kurse sa i përket faktit se i akuzuari ka qenë i dënuar edhe më parë, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore, ngase, veprat penale për të cilat i akuzuari është shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë tregohen me numër dhe datë dhe po ashtu dihet edhe për cilat vepra penale bëhet fjalë.
Mirëpo, Apeli përmend se gjykata e shkallës së parë, e ka theksuar këtë gjë tek pjesa e aktgjykimit – në fund të faqes, pra tek fusnotat, që do të thotë se me të drejtë gjykata e shkallës së parë, edhe i ka vlerësuar edhe rrethanat rënduese në fjalë.
E duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, Apeli thotë se Themelorja vendosi si në dispozitiv të aktgjykimi të ankimuar.
“Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara në aktgjykimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret, mënyrën se si është zhvilluar ngjarja kritike, sidomos, kur, i akuzuari ka treguar këmbëngulësi në kryerjen e veprës penale, pastaj, se i njëjti ka qenë i dënuar edhe më parë, atëherë, rezulton se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit është i drejtë dhe i ligjshëm, pastaj, i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës të kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, thuhet në fund të vendimit.
Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.
Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Me këtë, Januzi akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Januzi akuzohej se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.