Apeli e kthen në rigjykim rastin e Shukri Bujës, i dënuar me tre vjet burg për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe të tjerëve, në të cilin ata akuzohen për korrupsion në rastin e njohur si “Ferronikeli”.

Lajme

23/08/2019 17:11

Ky rast, i cili është edhe i shënjestruar për liberalizim të vizave, është kthyer në rigjykim, nga kolegji i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit Afrim Shala, Abdullah Ahmeti dhe Hashim Çollaku, të cilët kanë vlerësuar se aktgjykimi i Themelores ka qenë i përfshirë me shkelje.

Ndër të tjera, sipas Apelit, shkalla e parë ka dështuar të vërtetojë dashjen e të akuzuarve të cilët ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Me rastin e ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesave të mbrojtësve të akuzuarve Shukri Buja, avokatëve Arianit Koci dhe Granit Vokshi, mbrojtësit të akuzuarit Nebih Zeqiri, avokat Ekrem Agushi, ankesa e të akuzuarit Halit Gashi, ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Hasim Vishesella, avokates Nadire Hoxha, ankesës së të akuzuarit Bajram Rizani, me avokat Selman Bogiqi, ankesës së mbrojtësit Edmond Rexhepi, avokat Shemsedin Piraj dhe përgjigjes në aneksë të mbrojtësit të akuzuarit Driton Avdiu, avokatit Osman Mehmeti dhe sipas detyrës zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.53/17 të datës 05.11.2018 dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në një pjesë të aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Vishesella është shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe është dënuar me pesë muaj burgim.

Të akuzuarve Gashi, Rexhepi, Rizani dhe Vishesella, dënimet me burg mund t’u zëvendësohen me dënime me gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Shukri Buja obligohet që të paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 500 euro, Nebih Zeqiri, në shumë prej 400 euro, si dhe të tjerët nga 200 euro.

Ndërsa, janë liruar nga akuza, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues është marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme, kurse aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit, është marrë për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Beqir Kalludra, kishte thënë për të akuzuarin Buja, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale, ashtu që, veprat penale për të cilat akuzohej Buja, keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, është bërë ricilësimi në veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në vazhdimësi.

Për katër pika të tjera të aktakuzës që kanë të bëjnë me lejen për objektin e Fahri Retkocerit, e ku Buja akuzohej për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, gjykatësi Kalludra kishte thënë se kanë bërë ricilësimin në veprën penale të ushtrimit të ndikimit, pasi siç tha, të gjitha elementet e veprimeve të Bujës, i përfshin kjo vepër.

Mirëpo, pasi ricilësimit, Kalludra kishte deklaruar se për këtë vepër penale kanë arritur në përfundim se ka arritur parashkrimi i veprës penale.

Sa i përket veprës penale, punët ndërtimore të kundërligjshme për të cilën akuzohej Fahri Retkoceri, gjykatësi Kalldura kishte thënë se në veprimet e të akuzuarit Retkoceri në këtë rast hyjnë në domenin e kundërvajtjes, kurse pse veprën penale të marrjes së ryshfetit, gjykatësi Kalludra tha se ka arritur parashkrimi i veprës penale.

Në arsyetim e sipër të aktgjykimit, gjykatësi Kalludra kishte theksuar se, i akuzuari Bajram Rizani është fajtor, pasi sipas tij, nuk ka kërkuar veprime dhe përgjegjësi nga vartësit e tij lidhur me objektin e Fahri Retkocerit, kurse, të akuzuarit Avdiu dhe Kodra, Kalludra tha se është vërtetuar se të njëjtit kanë filluar punën shumë më vonë se sa që kishte filluar objekti në fjalë, andaj, të njëjtit janë liruar nga akuzat.

Sa i përket propozimit të prokurorisë, që të gjitha vendimet, lejet dhe urdhëresat që ishin nxjerrë nga të akuzuarit të shpallen nul, gjykatësi Kalludra kishte deklaruar se një kërkesë e tillë është jo-lëndore.

Pas shpalljes së aktgjykimi, Shukri Buja kishte thënë se ky dënim është i orkestruar nga njerëz të politikës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – nëcilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “New Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “New Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.