Anulohet gjykimi për mashtrim në votime, njëri i akuzuar i infektuar me Covid-19

Është anuluar gjykimi ndaj pesë të akuzuarve për mashtrim në votime, Mensur Avdullahu, Lulzim Ademi, Driton Xhemaili, Bilall Musliu dhe Nexhmi Jusufi, i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajme

03/08/2020 14:11

Pesë të akuzuarit po dyshohen se me 12 dhjetor 2010, në qendrën e votimit në shkollën fillore “Nëna Terezë”, në Prishtinë, me rastin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike kishin hequr dhe shtuar 738 vota kandidatëve të preferuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi për “Betimi për Drejtësi” njoftoi se njëri nga pesë të akuzuarit e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte i pranishëm, për shkak se ishte infektuar me Covid-19.

Për këtë arsye, gjykatësi Foniqi tha se paraprakisht e kishin anuluar këtë seancë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 8 shtator 2020, në pra 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 maj 2015, me 12 dhjetor 2010, në qendrën e votimit në shkollën fillore “Nëna Terezë”, në Prishtinë, ish-kryesuesi i këtij vendvotimi Mensur Avdullahu si dhe ish-anëtarët e tjerë të komisionit të partive të ndryshme: Lulzim Ademi, Driton Xhemaili, Bilall Musliu dhe Nexhmi Jusufi kishin falsifikuar rezultatet e zgjidhjeve.

Në aktakuzë thuhet me rastin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike kishin hequr dhe shtuar 738 vota kandidatëve të preferuar dhe atë nga kandidatët e subjekteve politike LDD 1 votë, AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK 12 vota, LDK 535 vota, VV 40 vota, AAK 48 dhe PDK-së 102 vota.

Për këto veprime, prokuroria pesë të akuzuarit po i ngarkohen me veprën penale “mashtrim në votime”, nga neni 180 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.