Anulohen dy seanca të planifikuara për këtë jave në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë nuk do të ketë seanca të enjten dhe të premten ashtu siç ishte planifikuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në këtë rast, ku po ashtu u diskutua për…

Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë nuk do të ketë seanca të enjten dhe të premten ashtu siç ishte planifikuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në këtë rast, ku po ashtu u diskutua për afatet kohore dhe procedurat për nxjerrjen e provave si dhe planifikime të tjera lidhur me mbylljen e çështjes gjyqësore në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Duke folur për mocionet jogojore, prokurori Matt Halling njoftoi se një e kanë dorëzuar dje, duke shtuar se do të bëjnë edhe mocione të tjera që mbeten për t’u parashtruar gjatë ditëve në vazhdim.
Mocioni i parashikuar prej tyre më i madhi, sipas prokurorit Halling është ai për Shtabin e Përgjithshëm me rreth 500 materiale. Tha se do të ketë edhe për Zonën e Pashtrikut me rreth 300 materiale.
“Mocionet e fundit do të jenë shumë më të vogla se këto, por nuk e di se sa”, tha ai.
Njoftimin për këto mocione, prokurori tha se do ta bëjnë deri në mes të marsit.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se është problem për ekipet e mbrojtjes t’iu përgjigjen mocioneve të ZPS-së me kaq materiale voluminoze për një periudhë të shkurtër kohore.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon parashtroi se ZPS-ja nuk ka për ta mbyllur paraqitjen e provave më 15 prill nëse ata vazhdojnë të dorëzojnë mocione që atyre iu duhet t’iu përgjigjen.
Gjyqtari Charles Smith tha se përfundimi i paraqitjes së provave është kur janë paraqitur të gjithë dëshmitarët dhe provat që ka Prokuroria.
“Nuk kërkon kjo që ne t’i përgjigjemi çdo mocioni (brenda kësaj periudhe)”, tha Smith.
Avokati Dixon kërkoi afat të mjaftueshëm në mënyrë që t’iu përgjigjen të gjitha mocioneve.
“Sepse disa prej tyre mund të dorëzohen jo më herët se 15 prilli dhe ju duhet të merrni vendim për to”, tha Dixon.
“Ne mendojmë që Rregulla parashikon që ju do të vazhdoni që të informoheni vazhdimisht se çfarë do të dorëzohet dhe të jeni në gjendje të thoni po apo jo që të paraqesin një mocion sipas Rregullës 130. Ne do të bëjmë çmos që të nxjerrim përgjigje… ne duam t’i ndjekim rregullat”, tha gjykatësi.
Sa i takon dëshmitarëve, Dixon tha se nga llogaritjet e tyre iu kanë dalë që janë 10 dëshmitarë për t’u dëgjuar në bllokun e marsit. Sipas tij, ky numër është shumë i madh për t’u përgatitur.
Ai kërkoi të informohet nga ZPS-ja se sa dëshmitarë do i thërrasë në mënyrë që të bëhen përgatitjet e mbrojtjes.
“Duam një afat për të ditur se sa dëshmitarë do të dëgjohen”, tha Dixon.
Ndërsa, prokurori James Pace tha se numri që përmendi avokati për dëshmitarët që kanë mbetur për t’i dëgjuar është i saktë.
“Nuk mendojmë që dhjetë dëshmitarët do të dëgjohen në bllokun e marsit dhe as nuk do të dëgjohen pas kësaj date. Vendosja e një afati, kjo është arbitrare sepse problemet që përballemi ju i kuptoni mirë; janë probleme me bashkëpunimin e dëshmitarëve, sigurinë e dëshmitarëve sidomos me bashkëpunimin e shteteve të treta”, tha prokurori.
Mishetiq tha se nuk është arbitrare vendosja e afateve për arsye se rregullorja thotë që deri në javën e ardhshme duhet të bëjë të diur ZPS-ja se kush do të thirret për bllokun e marsit.
Ndërsa, sa i takon mocioneve të mbrojtjes sipas Rregullës 130, Mishetiq tha se do të përgatiten por nuk e kanë të sigurt nëse do e bëjnë apo jo. Ngjashëm tha edhe Dixon, duke shtuar se ka gjasë që të dorëzojnë.
Smith rikujtoi se mbrojtja ka kërkuar dhjetë javë për ta dorëzuar dosjen përfundimtare. Tha se nuk kanë problem me këtë kërkese por thjesht për ta futur në kalendar nuk ka kuptim pasi nuk dihet se si do të vazhdohet më tej.
“Do t’iu jepet kohë e mjaftueshme për dosjen përfundimtare”, tha ai.