Anulimi i vizitave diplomatike, mesazh i SHBA-ve për klasën politike në Kosovë

Zëvendës/ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se njoftimi i bërë të martën nga ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson se është anuluar një vizitë e nivelit të lartë nga Shteteve të Bashkuara në Kosovë, tregon domosdoshmërinë për reflektim të klasës politike.

Lajme

14/10/2014 13:50

Selimi  për lajmi.net ka thënë se nga vizita e tij, në Departamentin e shtetit, javën e kaluar, i është thënë se Kosova ka nevojë për formimin e institucioneve.

Ai ka thënë se është e domosdoshme që partitë politike të bisedojnë dhe me ndihmën e presidentes Atifete Jahjaga të kalohet kriza.

“ Deklarata e ambasadores Jacobson është reflektim ndaj situatës, bllokadës politike që është krijuar. Unë të premten isha mysafir në Departamentin e Shtetit dhe porosia e miqve amerikanë ishte e njëjtë – Kosova ka nevojë për institucione që të merret me çështje prioritare”.

 “Bllokada fillestare na shpie në krizë të vërtetë dhe humbje eklatante të kohës. Prandaj duhet filluar dialogu mes partive i iniciuar nga presidentja, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që të kemi bashkërendim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare në politikën e jashtme”, ka thënë Selimi për lajmi.net.