Antony Blinken konfirmohet si sekretar amerikan i shtetit

Antony Blinken mori mbështetje dypartiake nga ana e Senatit amerikan në konfirmimin e tij në këtë pozitë. Blinken, një diplomat veteran dhe këshilltar i vjetër i presidentit, Joe Biden, fitoi lehtësisht shumicën e thjeshtë të nevojshme në Senatin me 100 ulëse.

Bota

26/01/2021 19:51

Në këtë pozitë ai e pason Mike Pompeon, i cili ishte një nga anëtarët që shërbeu më së gjati në kabinetit të presidentit të mëparshëm, Donald Trump.

Si diplomat i lartë, Blinken do të ketë për detyrë rinovimin e diplomacisë amerikane dhe angazhimin global, pas katër vitesh të politikës së Trumpit “Së pari Amerika”.

Politika e jashtme amerikane është karakterizuar me përbuzje ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe përplasje të njëjtë sikurse me aleatët ashtu edhe me rivalët.

Ndër përparësitë e para të Blinkenit do të jetë ulja e tensioneve në rritje me Iranin, rindërtimi i marrëdhënieve të dëmtuara me aleatët dhe menaxhimi i një marrëdhënie gjithnjë e më ashpër me Kinën.

Pasi shërbeu si këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Bidenit, gjatë mandatit të tij si nënpresident, Blinken u bë zëvendës i Këshilltarit për Siguri Kombëtare në administratën e presidentin Barack Obama, dhe më vonë shërbeu si numri dy në Departamentin e Shtetit.

Para kësaj Blinken punoi si drejtor i stafit demokrat të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, në kohën kur Biden ishte kryetar i komitetit. /REL