Antonio Conte mund të largohet nga Tottenhami në verë

Antonio Conte mund të largohet në fund të këtij sezoni nga Tottenham Hotspur.

26/04/2022 17:39

Italiani thuhet se është në bisedime me PSG-në dhe koha e tij në Tottenham mund të përfundojë pas vetëm disa muajsh, falë një klauzole të përfshirë në kontratën e tij me Spurs.

Conte nënshkroi një marrëveshje 18-mujore me skuadrën e Premier League në nëntor, por Calciomercato.com pretendon se tekniku italian mund të largohet nga Londra Veriore në verë duke aktivizuar një klauzolë të përfshirë në kontratën e tij në nëntor, transmeton lajmi.net.

RMC Sport raporton se Conte ka kërkuar një pagë 30 milionë euro në vit dhe kontroll mbi stafin e tij, tregun e transferimeve dhe madje edhe aktivitetet e mediave sociale. Ai gjithashtu dëshiron të punojë me mikun e tij dhe ish-shokun e skuadrës, Gianluca Petrachi, i cili do të zëvendësonte Leonardon.

Kontrata e Contes në Londrën e Veriut skadon në qershor 2023, por ka pasur raporte në rritje në lidhje me lëvizjen e trajnerit në Paris, ku ai do të zëvendësonte Mauricio Pochettino.

Nëse Conte bëhet trajneri i ri i PSG-së, ai do të punojë me bashkatdhetarët e tij Marco Verratti dhe Gigio Donnarumma. Ndërkohë, ish-trajneri i Juventusit dhe Interit do të përpiqet të rrëmbejë një pozitë në top katërshe me Tottenham. /Lajmi.net/