Antikorrupsioni heton ministrin Rrahmani

Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni ka konfirmuar fillimin e hetimeve ndaj ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

Lajme

13/02/2015 07:13

Sipas Pretenit, Agjencia kundër korrupsionit reagon në çdo informatë publike, shkruan e përditshmja ‘Zëri’.

Ndaj ministrit Imet Rrahmani kanë filluar hetimet në Agjencinë kundër korrupsionit, pasi ai gjatë deklarimit të pasurisë nuk e ka paraqitur edhe ordinancën e tij e cila gjendet në rrugën “Arbëria” në Gjilan, e që nuk ka pasur asnjëherë licencë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në emrin e ministrit të Shëndetësisë, figuron se është aktiv një biznes që nga gushti i vitit 2005 e që ofron shërbime të nivelit parësor dhe dytësor shëndetësor.

Por, ordinanca “Medica” që gjendet në rrugën “Arbëria” në Gjilan nuk ka pasur asnjëherë licencë për punë të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka regjistruar një biznes me emrin “Medica”, me numër 70293437, e që ofron veprimtari shëndetësore, ndonëse ai nuk e ka licencuar asnjëherë ordinancën në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gazeta Zëri e ka hulumtuar për një javë veprimtarinë e kësaj ordinance.

Të gjeturat fillestare në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), flasin se ky biznes është në pronë të ministrit, Imet Rrahmani.

Aktivitetet e këtij biznesi, janë gjithëpërfshirëse në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe aty del se ofrohen përveç shërbimeve parësore shëndetësore edhe ato të nivelit dytësor mjekësor, për çka nevojitet specializim në fusha të caktuara.

Ky biznes, sipas të dhënave në ARBK është aktiv dhe konstituimit i tij është bërë më 22 gusht të vitit 2005, datë kjo kur “Medica” që udhëhiqet nga Rrahmani.

Vet ministri Rrahmani pranon se nuk ka aplikuar asnjëherë për licencë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi ordinanca e tij nuk plotësonte kriteret për licencim.

Për këtë, ai ka thënë se biznesi i tij është jofunksional tash e tetë vjet.