Ankthi i helmit në Shqipëri
Protesta e frikë në Tiranë kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Një përplasje e fortë për këtë çështje po zhvillohet edhe ndërmjet pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile.

Lajme
Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri ka ngritur në këmbë opozitën, shoqërinë civile dhe mijëra të rinj.
Grupe qytetarësh, studentësh, nxënësish dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit vijuan protestat në qytete të ndryshme të vendit, kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë.
Protestues të shumtë u mblodhën, sot, në orën 09:30 në Sheshin përpara Parlamentit në Tiranë, ku protestuan në mënyrë paqësore për disa orë dhe më pas iu drejtuan sheshit përpara kryeministrisë.
Organizimi i kësaj proteste është bërë përmes rrjeteve sociale, si “Facebook” e “Twitter”.
Ndërkohë në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të opozitës, në mesin e të cilëve ishte edhe ish Kryeministri Sali Berisha.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka kërkuar që çështja e shkatërrimit të këtyre armëve të vendoset përmes një referendumi mbarështetëror.
Zëra kundër këtij veprimi, kishe edhe brenda pozitës. Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka kërkuar tërheqjen e Qeverisë së Shqipërisë nga negociatat për armët kimike.
“Sot është vendi për të thënë që qeveri duhet të tërhiqet nga ky negocim, krijohet panik, perceptim i keq për Shqipërinë. Pyetja është, Pse Shqipëria? NATO ka vende që kanë kapacitete më shumë se ne dhe e kanë kundërshtuar. Pse Shqipëria? Dhe besoj se është koha që duhet të dëgjohet populli dhe të tërhiqen nga këto negociata. Nuk është koha të dëmtojmë imazhin e Shqipërisë”.
Debati për armët kimike, është zhvendosur edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputetë të opozitës kanë kërkuar urgjentisht Kryeministrin Edi Rama që të vijë në sallën e Kuvendit për t’u përgjigjur rreth kësaj çështjeje.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, deklaroi se deri më sot nuk ka asnjë vendim për sa i takon çështjes së armëve kimike.
“Nuk do të ketë asnjë vendim që cenon interesat kombëtare, rajonale, nuk do të ketë asnjë vendim që do të cenojë interesat ekonomike dhe turistike të Shqipërisë, që do të cenojë interesat e qytetarëve, si dhe nuk do të ketë asnjë vendim i cili bie ndeshë me interesat e NATO’së dhe BE’së”.
Ndërsa, ish kreu i qeverisë, Sali Berisha kërkoi nga Kryeministri Edi Rama që të anulojë vizitën në Mal të Zi dhe të vijë urgjentisht në Tiranë për të dhënë përgjigje për çështjen e armëve kimike.
“Është dhënë urdhri për të pastruar Uzinën e Mjekësit dhe këtë Kryeministri nuk e pohoi kurrë. Këtë fakt e pohoi vetëm kryetari i Bashkisë së Elbasanit, i cili kishte mësuar prej punonjësve të uzinës se kishin marrë urdhër për të pastruar ambientet”.