Anglia ‘ngopet’ para ndeshjes me Kosovën, i shënon 4 herë Bullgarisë, kthehet në krye të grupit

Kombëtarja e Anglisë ka dhënë një sinjal të fuqishëm për kombëtaren e ‘vogël’ të Kosovës.

Sport

07/09/2019 19:46

‘Tre Luanët’, në shtëpinë e tyre, kanë demoluar Bullgarinë, duke e mposhtur me rezultatin 4:0, raporton lajmi.net.

Harry Kane e hapi serinë e golave në këtë takim, duke shënuar në minutën e 24’, pas asistimit të Sterling, për të vendosur rezultatin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Kane realizoi përsëri në minutën e 49’, kësaj radhe nga pika e bardhë e penalltisë.

Raheem Sterling iu shtua listës së realizatorëve, kur po luhej minuta e 55’, me Kane që i ktheu favorin e golit të parë.

Kurse, rezultatin dhe het trikun e vulosi Kane, në minutën e 73’, për tri pikët e Anglisë, që e kthejnë në krye të Grupit A, me një pikë më shumë se Kosova, dhe një ndeshje më pak. /Lajmi.net/