Anglia monitoron Januzajn

Selektori i Anglisë, Roy Hodgson, ka pranuar se është duke monitoruar yllin kosovar Adnan Januzaj. Ai ka bërë të ditur se mesfushori i Manchester Unitedit në të ardhmen mund të paraqitet për Anglinë.

Sport

06/10/2013 17:18

Mesfushori i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, është duke u monitoruar nga Anglia, ka njoftuar selektori Roy Hodgson.

18-vjeçari kosovar realizoi dy herë në debutimin e tij të plotë për Unitedin që u rikthye nga disavantazhi dhe mposhti Sunderlandin 2-1 të shtunën.

Januzaj është anëtar i gjigantit nga Old Trafford nga 2011, dhe Hodgson ka pranuar se një ditë ai mund të luajë për Anglinë.

“Nuk ka dyshim se ai është talent i madh dhe ne i kemi sytë në të, por ka edhe shumëqka për tu diskutuar”, deklaroi Hodgson për Match of the Day.

“Ai tashmë një kohë të gjatë është në United dhe duhet të zhvillojmë diskutime të gjata para se të natyralizojmë futbollistë. Po, (ai mund të luajë për Anglinë) nëse natyralizohet, ose regjistrohet si produkt vendor”, përfundoi Hodgson.

Januzaj ka të drejtë të paraqitet për shtete të ndryshme përfshirë Shqipërinë, Belgjikën dhe Turqinë.