Angelika Viets: Ilegalët kosovarë do të kthehen mbrapshtë
Ambasadorja e Gjermanisë, Viets, është takuar sot me kreun e VV-së, Visar Ymeri, me ç’rast ka porositur sërish se të gjitha kosovarët që kanë hyrë ilegalisht në Gjermani do të kthehen mbrapshtë.
Lajme
Viets u prit në selinë e Vetëvendosjes nga Visar Ymeri, si dhe nënkryetarët Driton Çaushi dhe Aida Dërguti.
Kreu i VV-së, Ymeri gjatë këtij bashkëbisedimi u ndal te zhvillimi ekonomik, duke shprehur shqetësimin e tij për borxhet e akumuluara nga projekte si autostrada dhe nevojën për të siguruar burime të mjaftueshme të brendshme energjetike.
Kryetari i VV-së sqaroi edhe një herë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me marrëveshjet që ka prodhuar dialogu me Serbinë dhe ndikimin negativ të tyre për shtetin e Kosovës.
Ambasadorja Viets u interesua mbi planet dhe aktivitetet e VV-së gjatë muajve në vijim dhe shpjegoi se ndante të njëjtin shqetësim sa i përket sektorit energjetik në Kosovë, pasi edhe investitorët gjermanë e ngrenë çështjen e energjisë si një nga shqetësimet e tyre lidhur me Kosovën.
Më pas Ambasadorja Viets ripërsëriti se qytetarët e Kosovës të cilët kanë hyrë ilegalisht në Gjermani janë tashmë duke u kthyer nga autoritetet gjermane, duke shtuar se kjo praktikë do të vazhdojë. /KosovaPress/