Angela Merkel në Sarajevë: BeH një hap drejt marrjes së statusit të kandidatit për BE

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur gjatë vizitës së sotme në Bosnje dhe Hercegovinë në konferencën me kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës trepalëshe të BeH kënaqësinë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Bashkimit Evropian dhe vuri në dukje se tani BeH ndodhet një hap drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajme

09/07/2015 16:37

“E dimë që në anën tjetër para Bosnjës dhe Hercegovinës është marrja e vendimeve të vështira, veçanërisht në fushën e reformave ekonomike dhe sociale, por kjo është diçka që do të sigurojë progresin e mëtejshëm të vendit”, përfundoi Merkel.

Ajo vuri në dukje se deri në fund të vitit në Vjenë do të mbajë takim mes kryeministrash të vendeve të Ballkanit Perëndimor si vazhdim i takimit të vitit të kaluar në Berlin ku do të diskutohet mbi perspektivat evropiane të rajonit.

Kancelarja theksoi se sot i bëri një ftesë Kryesuesit dhe anëtarëve të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës për të vizituar në të ardhmen Gjermaninë, që në bisedimet të mëtejshme të vazhdojnë me shqyrtimin e lëvizjeve që duhet të bëjë BeH, në mënyrë që të përmirësojë jetën e qytetarëve të vet.

Duke folur për mos miratimin e djeshëm të rezolutës të Srebrenicës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kancelarja gjermane theksoi se kjo tregoi qëndrime të ndryshme, dhe vuri në dukje se është e rëndësishme që të gjithë të kujtojnë viktimat.

Javët e ardhme kyçe për BeH-

Kryesuesi i Presidencës së BeH, Mladen Ivaniç theksoi se javët e ardhme do të jenë kyçe për BeH, dhe bëhet fjalë për harmonizimin e programit të reformave të cilat, siç theksoi ai, janë në fazën përfundimtare, dhe mbi procesin e harmonizimit të mekanizmit koordinues.

“Jemi afër zgjidhjes kështu që supozoj se deri në fund të këtij apo në fillim të vitit 2016 do të paraqesim kërkesën për anëtarësimin në BE. Është reale që në përputhje me këtë të presim që BeH statusin e kandidatit ta marrë në vitin 2017”, ka thënë Ivaniç.

Ai theksoi se nuk sheh tjetër rrugë për BeH veçse atë evropiane, sepse është e pamundur, siç tha, që vendi të mbetet i izoluar në rajon. Sa i përket rezolutës për Srebrenicën e cila nuk është miratuar në KS të OKB-së, Ivaniç theksoi se duhet më shumë të kthehemi tek e ardhmja.

Vendimet e BE-së duhet të jenë në interes të qytetarëve të Greqisë –

E pyetur të komentojë mbi atë që do të ndodhë pas samitit të liderëve të BE-së në lidhje me krizën financiare të Greqisë të dielën, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se në këtë moment nuk mund të vlerësojë zhvillimin e situatës, por që në çdo rast ky do të jetë një sesion vendimtar.

“Njerëzit në Greqi vuajnë, bankat janë të mbyllura dhe për ne politikanët mbetet të përpiqemi për të marrë një vendim që do të jetë në interesin e qytetarëve. Në këtë kontekst, të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”, tha Merkel.

Ajo theksoi se qeveria greke paraqiti programe specifike të cilët gjatë ditëve të ardhshme do të analizohen përmes tri institucioneve evropiane, në kuptimin nëse përmbushin periudhën e ardhshme tre-vjeçare.