Angazhimi i Kosovës nuk u shpërblye

Shefi i diplomacies kosovare, Enver Hoxhaj, thotë se e kupton 'dhuratën' e BE'së për Serbinë, por megjithatë normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, sipas tij, është larg nga përfundimi dhe marrëveshjet mbesin ende të paimplementuara.

Lajme

20/12/2013 14:39

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ka thënë se Kosova nuk është shpërblyer për angazhimin konstruktiv në dialog dhe reformat e ndërmarra.

“I mirëpres konkluzionet e Këshillit të BE’së sot, por Kosova nuk është shpërblyer për angazhimin konstruktiv në dialog dhe reformat e ndërmarra në nivele të ndryshme të qeverisjes”.

“Perspektiva për liberalizim të vizave dhe trajtim të barabartë të Kosovës sikurse të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor duket të jetë nënvlerësuar gjatë këtij viti”.

“E kuptoj ‘dhuratën’ e BE’së për Serbinë, por megjithatë normalizimi i marrëdhënieve është larg nga përfundimi dhe marrëveshjet mbesin ende të paimplementuara”, ka shkruar ministri Hoxhaj, në profilin e tij personal në Facebook.