Angazhim maksimal për MSA
Ministrja Vlora Çitaku premton angazhim të institucioneve të Kosovës gjatë negociatave për MSA. Ajo u takua sot me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Jan Kickert.
Lajme
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet maksimalisht për t’i arritur qëllimet e veta që procesin e negociatave për marrëveshjen Stabilizim-Asocim që do të fillojë javën e ardhshme, ta përmbyllë në afatin e parashikuar.
Negociatat e Kosovës me bashkimin Europian për MSA do të fillojnë me vizitën e Komisionerit të BE’së për Zgjerim Stefan Fule në Kosovë, më 28 tetor. Palët presin që ato të përmbyllen në pranverë të vitit të ardhshëm.
Gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Jan Kickert, Ministrja Çitaku ka shfaqur gatishmërinë e instituciovee të vendit për t’i hyrë këtij procesi.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Integrimeve Europiane, gjatë këtij takimi është biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë, progresin e arritur me agjendën europiane, fillimin e negociatave për MSA dhe procesin e liberalizmit të vizave.
Po ashtu, është diskutuar vlerësimi pozitiv nga Komisioni Europian për progresin e tërë Ballkanit Perëndimor për rugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Qëllimi i Komisionit Europian për t’i hapur negociatat për MSA këtë muaj dhe për t’i përmbyllur në pranverë të vitit të ardhshëm tashmë është rikonfirmuar”.
“Po ashtu është vlerësuar lart përkushtimi ynë në kontekstin e dialogut të liberalizimit të vizave. Sidoqoftë, ne jemi më se të vetëdijshëm që puna jonë nuk ka përfunduar dhe tani më shumë se kurrë, vendi ynë, institucionet tona, Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e drejtësisë duhet të japin angazhimin maksimal”, ka thënë Ministrja Vlora Çitaku.
Ambasadori Kickert ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera politiko-ekonomike mes Kosovës dhe Austrisë dhe ka shprehur vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha nivelet dhe fushat me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.
Sa u përket zhvillimet e fundit në Kosovë, Kickert tha se Kosova po vepron drejt në adresimin e barrierave të së kaluarës.
“Kosova është duke vepruar drejt duke qenë e përkushtuar në përmirësimin e raporteve me Serbinë. Qasja konstruktive e Kosovës po shërben si shembull i mirë për tërë rajonin ngase barrierat e së kaluarës duhet tejkaluar në mënyrë që të shkohet drejt një të ardhme prosperuese”, ka thënë Kickert.