Anëtari ndërkombëtar i Këshillit Drejtues të UP nuk ftohet në mbledhje

Kryetarja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Shefkije Islamaj, ka ftuar për të mërkurën në orën 16:00 mbledhjen e Këshillit me pikën e vetme të rendit të ditës: “Shqyrtimi dhe marrja e vendimit lidhur me nismën e 28 anëtarëve të Senatit për shkarkimin e rektorit të Universitetit”.

Lajme

20/10/2015 16:49

Tetë anëtarët vendorë të Këshillit Drejtues janë të njoftuar me këtë nismë dhe e kanë marrë ftesën për pjesëmarrje në mbledhje. Për më tepër, të hënën kanë marrë pjesë në mbledhje të përbashkët me senatorët, ku i kanë dëgjuar ankesat e këtyre të fundit ndaj rektorit Zejnullahu.

Por, ftesa e as informata se rektori mund të shkarkohet nuk i ka shkuar edhe anëtarit ndërkombëtar të Këshillit Drejtues, Sigurd Hoellinger, i emëruar në këtë organ nga ministri Arsim Bajrami.

Në një prononcim për “Zëri”, Hoellinger, i cili jeton në Vjenë, thekson se nuk ka mundur të merr pjesë në mbledhjet e mëhershme të Këshillit Drejtues, për shkak të obligimeve të tjera.

“Nuk jam i informuar për takimin e radhës dhe nuk e di se çfarë është në rend dite”, ka deklaruar Hoellinger.

Po ashtu, Hoellinger pohon të mos jetë fare i informuar me nismën e senatorëve për shkarkimin e rektorit, prandaj thotë se nuk mund të prononcohet për këtë çështje.

Sipas nenit 6, pika 7 e Rregullores së Punës të Këshillit Drejtues, njoftimi për mbledhje duhet t’ju dërgohet anëtarëve të Këshillit Drejtues të paktën tri ditë para mbajtjes së mbledhjes. Ndërkaq, ftesa për mbledhjen e radhës është dërguar vetëm një ditë para mbajtjes së mbledhjes dhe, si duket, nuk i është dërguar të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Mbetet pyetja pse anëtari i vetëm ndërkombëtar i organit më të lartë të Universitetit mbahet i painformuar për një nismë aq të rëndësishme çfarë është shkarkimi dhe nuk ftohet, në mënyrë të rregullt, në mbledhjen të këtij organi ku do të merret vendimi për këtë nismë? /Zëri