Anëtarët e PDK-së në KQZ kërkojnë me çdo kusht rivotim në Mitrovicë: Në të gjitha vendvotimet ka defekte që bien ndesh me rregulloren e KQZ-së
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi sot para mediave ka folur në lidhje me procesin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunës në Mitrovicë dhe dyshimet për vjedhje votash. Gashi ka thënë se ky proces duhet të bie në duar të organeve të drejtësisë, pasi që thotë se kanë…
Lajme
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi sot para mediave ka folur në lidhje me procesin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunës në Mitrovicë dhe dyshimet për vjedhje votash.
Gashi ka thënë se ky proces duhet të bie në duar të organeve të drejtësisë, pasi që thotë se kanë vënë re se ka një defekt serioz të fletëvotimeve, që ai thotë se e kanë rrënuar besimin e opinionit publik në procesin zgjedhor, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se e vetmja mënyrë për ta rikthyer këtë proces në binar, dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në proces zgjedhor, është rivotimi në Mitrovicë.
“Është pak e rëndësishme çka themi ne, apo çka mendojmë ne, për faktin se është e rëndësishme çka mendojnë qytetarët jashtë kësaj salle. Opinioni publik jo vetëm në Mitrovicë, por në të gjithë Kosovën tashmë mendon se ky proces është i lënduar rrënjësisht. Po thuajse në shumë vendvotime, në të gjitha vendvotimet ka defekte të tilla të cilat bien ndesh me rregulloren e brendshme të KQZ-së dhe për rrjedhojë ne edhe do të bëjmë një komision hetimor, për të vërtetuar origjinalitetin e tyre. Por, edhe subjekti nga i cili ne vijmë, PDK ka bërë një ankesë në PZAP, rrjedhimisht do të ndjek të gjitha procedurat ligjore, në mënyrë që të rikthej besueshmërinë e qytetarëve të kësaj komune në procesin zgjedhor”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se sot mund të ketë mbledhje të KQZ-së, ku do të bisedohet lidhur me këtë problematikë.
“Ne mendojmë se qoftë veç edhe një votë të qytetarit të Kosovës nëse keqpërdoret, ne do të duhej që ai besim të rikthehet. Nuk është çështja e numrit, sa fletëvotime por është çështja e problemit që ka ngja e cila në njëfarë mënyre e ka zbehur rrënjësisht vullnetin e qytetarëve jo vetëm në Komunën e Mitrovicës, por besoj që është rrënim i integritetit të procesit zgjedhor në sytë e opinionit publik në të gjithë Kosovën”, ka thënë Gashi. /Lajmi.net/