Ancelotti nuk dorëzohet për La Ligën: Do të luftojmë deri në fund

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti nuk ka në plan të dorëzohet për titullin kampion në ligë. Reali së fundmi pësoi humbje në udhëtim te Mallorca, duke u mposht 1:0, transmeton lajmi.net. Pasi ‘Mbretërit’ lëshuan tri pikë të arta nga duart, dhe tashmë janë tetë pikë larg liderit, Barcelonës. Megjithatë, Ancelotti tregon që madrilenët nuk…

Sport

06/02/2023 08:20

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti nuk ka në plan të dorëzohet për titullin kampion në ligë.

Reali së fundmi pësoi humbje në udhëtim te Mallorca, duke u mposht 1:0, transmeton lajmi.net.

Pasi ‘Mbretërit’ lëshuan tri pikë të arta nga duart, dhe tashmë janë tetë pikë larg liderit, Barcelonës.

Megjithatë, Ancelotti tregon që madrilenët nuk e kanë në plan të dorëzohen në garën për mbrojtjen e titullit, pasi do luftojnë deri në fund.

“Ajo që është më e rëndësishme është çdo ndeshje që duhet të luajmë. Tani duhet të luajmë në Kupën e Botës, të cilën duam ta fitojmë dhe më pas do të luftojmë për Ligën deri në fund. Kjo nuk ka mbaruar ende, ka shumë lojëra përpara. Ajo që na ndodhi sot mund të ndodhë në çdo ndeshje”, tha italiani.

Tutje, ai tha se kjo humbje dhemb, por e prisnin të vuanin ndaj tyre.

“Është një humbje që dhemb shumë, por ishte ndeshje që prisnim. Përgatitëm një ndeshje të vështirë, me shumë faulle dhe ndërprerje. Detaje të vogla përcaktuan ndeshjen. Goli i pranuar herët dhe penalltia e humbur na kanë ndikuar shumë. Loja, si ide, nuk ka qenë e keqe për mendimin tim, por ka qenë një lojë atipike, me shumë ndërprerje. Tani duhet të mendojmë për Botërorin, ku mbërritëm me shumë entuziazëm”.

Ndeshja e radhës për Realin është ndaj Al Ahly, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Botës për Klube të mërkurën, me fillim nga ora 20:00./Lajmi.net/