Ancelotti: Messi nuk do ta fitojë Topin e Artë

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, nuk beson se Lionel Messi mund të fitojë ndaj Cristiano Ronaldos ose reprezentuesve gjermanë, në garë për Topin e Artë.

Sport

07/11/2014 16:25

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se nuk mund ta paramendojë Lionel Messin duke e mposhtur Cristiano Ronaldon në garë për Topin e Artë.

Yjet e sulmit kanë ndarë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në botë në shtatë edicionet e fundit dhe u emëruan në listën e gjerë të FIFA-s.

Ancelotti nuk beson se Messi do të arrijë të fitojë ndaj Ronaldos ose ndonjërit prej yjeve të Kombëtares gjermane që triumfuan në Kampionatin botëror.

“Ronaldo ka fituar gjithçka që duhet të fitohet. Pastaj janë futbollistët e Gjermanisë sepse fituan Kampionatin botëror. Nuk shoh ndonjë futbollist tjetër që mund të jetë në listë”, deklaroi Ancelotti gjatë një konference për shtyp.