Analizë: Dymujori i qeverisë Mustafa

Mustafa, i humbur në qeverisjen e tij. Sjellja dhe reagimi i panevojshëm e aspak politik i tij po e shpërfaq më së shumti pafuqinë, pasigurinë dhe mospërgatitjen e tij për të qenë i pari i ekzekutivit në vend.

Lajme

09/02/2015 18:14

 Sot janë bërë dy muaj prej se Isa Mustafa ka marrë timonin e të parit të ekzekutivit në vend. Por, prej asaj kohe e deri më tash puna dhe aktiviteti i tij ka qenë shumë i plogësht.

Rritjet e pagave, të premtuara dhe të realizuara disa herë nga paraardhësi i tij, nuk ndodhën. Kontrata kolektive mbet diku e fshehur në sirtarët e MAPL-së. Emigrimi ilegal mori përmasa shqetësuese. Grevat dhe protestat nisën si asnjëherë më parë dhe nuk kanë të ndalur. Trepça, një problem i fjetur deri më tash, u shndërrua në problem të madh. Kurse, probleme të mëdha iu krijuan edhe nga partneri tjetër qeverisës, Lista Serbe.

E, Isa Mustafa, një ekonomist me profesion, vetëm tash ka filluar të bëjë përpjekje që t’i kundërvihet pakënaqësisë kolektive. Ditë më parë, ai bashkë me ministrin e tij të Financave vendosën që t’ua falin qytetarëve borxhet e pasluftës, që kanë ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike nga çlirimi deri në vitin 2008.

Por, realisht, falën borxhe që nuk ekzistojnë dhe që nuk mund të mblidhen, sepse borxhet mbi gjashtë vjet të vjetra edhe ligjërisht janë të pambledhshme.

Kurse, vetëm javën e fundit ai ka shpërthyer izolimin e brendshëm dhe vetëm pas dy muajsh, pikërisht sot, ai po arrin të takojë një homolog të tij, atë serb, si pjesë e një faze të re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pse në fakt, e filloi kaq mbrapsht Isa Mustafa?!

Edhe pse pa numra në Kuvend, partitë e opozitës kanë zgjedhur të mos jenë aspak miqësore dhe mirëkuptuese për Mustafën, i cili dikur ishte pjesë e koordinimit të afërt politik me ta. Por, pas një bllokade të gjatë politike për dërgimin e PDK-së së Hashim Thaçit në opozitë, Mustafa ndërroi kurs politik për t’i zhbllokuar proceset dhe bëri koalicion me të, duke u bërë vet i pari i ekzekutivit.

Mirëpo, edhe pse i pari, ai duket sikur ka hyrë toalisht i papërgatitur dhe pa vizion për të qenë kryeministër i vendit. I rrethuar kryesisht nga ekipi i tij i vjetër, ai ende nuk po mundet të tejkalojë mendësinë e qeverisjes lokale të Prishtinës.

Dhe këto nuk janë karakteristikat e vetme të qeverisjes së tij, sepse si kurrë më parë, përkundër që disa nga paraardhësit e tij ishin politikisht më të dobët se Mustafa, sjellja dhe reagimi i panevojshëm e aspak politik, po e shpërfaq më së shumti pafuqinë, pasigurinë dhe mospërgatitjen e tij për të qenë i pari i ekzekutivit në vend.

Sidoqoftë, secilit paraardhës të tij i është dhënë kohë të paktën 100 ditë për ta vlerësuar dhe Mustafa, me sjelljen dhe lëvizjet e tij politike, si duket ka humbur edhe këtë standard politik. /lajmi.net/