Analistët thonë se samitet rajonale nuk prodhojnë ndonjë rezultat

Njohësit e çështjeve politike thonë se Kosova nuk po përfiton nga samitet regjionale dhe se as kryesimi i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEEC), nuk do të prodhoj ndonjë rezultat më të mirë se samitet e tjera.

Lajme

15/07/2019 23:05

Edhe pse Kosova do ta bëjë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEEC), njohësit e çështjeve politike shprehen skeptik se do të arrihet ndonjë rezultat nga këto samite.

Analisti Rasim Alija thotë se Kosova ka vazhdimisht ka dështuar të përfitoj nga këto nisma rajonale.

“Kemi parë deri tash se Kosova, të paktën në këto përfaqësime rajonale, ka indikatorë negativ pasi të gjitha projektet kanë stagnuar ose edhe kur Kosova është dashur të marrë fonde nga këto nisma rajonale, nuk ka marrë”, tha për RTV Dukagjinin, Rasim Alija.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se këto samite nuk mund të jenë të suksesshme, pa u arritur një normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Republika e Kosovës do të presë samitin e radhës. Kjo nuk e besoj se do të sjellë diçka të re pasi i dimë qëndrimet e Bosnjës dhe Kosovës karshi Republikës së Kosovës dhe i dimë çështjet e hapura dhe fatkeqësisht për t’u zgjidhur këto çështje kërkohen procese të tjera…Iniciativat rajonale janë të mirëseardhura kur ka edhe vullnet politik por në Ballkan ende ka mungesë të vullnetit politikë për bashkëpunim të sinqertë politikë”, tha Artan Murati.

Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania dhe Serbia.