Analistët thonë se Kurti nuk ka rrugë tjetër përveç takimit me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e ardhshme pritet që të udhëtojë për në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Ndërsa, është raportuar se në muajin maj pritet që zhvillohet një takim mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në anën tjetër ky takim ende nuk është konfirmuar.

Lajme

23/04/2021 19:12

Duke pasur parasysh se Kurti ka bërë të ditur se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i qeverisjes së tij, analistët vlerësojnë ai duhet që të marrë pjesë takimin me Vuçiqin, i cili pritet të zhvillohet në muajin maj, shkruan lajmi.net.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për lajmi.net se nëse ky takim është i koordinuar nga ShBA dhe Brukseli, atëherë Kurti s’ka rrugë tjetër përveç që të shkojë në atë takim.

“Nëse ky takim është i koordinuar nga Uashingtoni dhe Brukseli, mendoj që kryeministri Kurti nuk ka rrugë tjetër pos që të marrë pjesë në këtë takim sepse mund të ketë pasoja për Kosovës dhe mund t’i hap rrugë tutje Serbisë”, ka thënë ai.

Për analistin Belul Beqaj, shmangia e mundshme e Kurtit nga ky takim është i pajustifikueshëm.

“Zoti Kurti duhet të shkoj në çdo takim për dialog. Asnjë arsyetim për shmangie nga takimi nuk e justifikon. Kosova duhet të kooperoj dhe koordinoj takimet brenda dhe jashtë për të kaluar në ofensivë diplomatike, duke argumentuar superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë”, është shprehur ai për lajmi.net.

E, në këtë takim të parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, sipas Arton Demhasaj mund të diskutohet për afatet e rifillimit të dialogut.

“Temë diskutimi normal që ka me qenë marrëveshja finale. Ka mundësi të jetë takim i parë për rifillim të dialogun, që pastaj menjëherë mund me fillu. Në atë takim mund të merren vesh për afatet se si të mbahen takimet dhe pastaj të fillojë dialogu dhe të kemi një marrëveshje potenciale deri në fund të këtij viti”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Demhasaj e konsideron gabimin më të madh të Kurtit në rast se ai në këtë takim shkon me qasjen se dialogu nuk duhet të vazhdojë. Por, ai shton se Kurti ka dhënë shkëndija që dialogu me Serbinë do të vazhdojë.

“Nuk ish dashtë me ndodhë se përmes dialogut duhet me heq qafe Serbinë. Nuk besoj që do të ndodhë. Nëse ndodh diçka e tillë mendoj që është gabimi më i madh që Kurti e bënë për veten e tij si politikan, por edhe për Kosovën. Vetë fakti që Kurti ka premtuar që një nga vendimet e para ka me qenë reciprociteti dhe nuk ndodhi, në një mënyrë kjo është një shkëndi që Kurti ka me marrë pjesë në takime. Përndryshe, nëse ky kishte me pretenduar që mos me marrë pjesë në takim dhe mos me rifillu dialogu e kish vendos reciprocitetin, Serbia nuk kishte me pranu me hy në dialog dhe ky ish arsyetu me këtë. Deri tash nuk kemi ndëgju që ka diçka të tillë dhe ky mendoj që është një lloj sinjali”, ka shtuar ai për lajmi.net.

Ndërsa, sipas analistit Beqaj, në këtë takim Kurti do të bëjë të ditur gatishmërinë për vazhdim të dialogut me Serbinë.

“Ai do të informojë zyrtarët evropianë për gatishmërinë e Qeverisë për vazhdimin e dialogut për aq sa ka gatishmëri të palëve për të shkuar në drejtim të njohjes reciproke. Nëse palët ngulin këmbë vetëm për ‘normalizim’ dhe ‘ndërmjetësim dhe lehtësim’ të vazhdimit të dialogut, ai do të sillet konform rrethanave”, është shprehur ai.

Ndërkaq, në shtator të vitit të kaluar ishte zhvilluar takimi i fundit në nivel politik Kosovë – Serbi, ku u takuan ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq./Lajmi.net/