Analistët për vendimin e Osmanit: Tërheqja krijon paqartësi institucionale

Analistët e kanë cilësuar si shqetësuese tërheqjen e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese, tre ditë para përfundimit të masës së përkohshme që ndalon çdo lloj veprimi të deputetëve për formimin e institucioneve. Osmani sot nëpërmjet një konference për media ka kundërshtuar caktimin e gjyqtarit Radomir Laban, nga Gjykata Kushtetuese për të vendosur…

Lajme

05/08/2025 23:58

Analistët e kanë cilësuar si shqetësuese tërheqjen e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese, tre ditë para përfundimit të masës së përkohshme që ndalon çdo lloj veprimi të deputetëve për formimin e institucioneve.

Osmani sot nëpërmjet një konference për media ka kundërshtuar caktimin e gjyqtarit Radomir Laban, nga Gjykata Kushtetuese për të vendosur lidhur me rendin kushtetues të Kosovës, në cilësinë e gjyqtarit raportues. Arsyetimi i saj qe rrezikshmëria e tij, duke u bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë. Ndërkaq të ftuarit në transmetuesin publik kanë thënë se kjo kërkesë krijon amulli për të ardhmen e institucioneve.

Avokat Ardian Bajraktari ka vlerësuar se epilogu i çështjes së konsultimit me Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, do të jetë papajtueshmëria, andaj presidentja Osmani ka bërë tërheqjen e kërkesës.

“Në bindjen time është një tentativë për ta justifikuar një huqje të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e institucionit të Presidencës së Kosovës. Kjo për faktin se pavarësisht që çështja iniciohet si konflikt interesash, vërehet që kërkesa më shumë ka të bëjë me adresim të pyetjeve, pavarësisht që nga viti 2018 nuk merret Kushtetuesja me adresimet në formën e pyetjeve”, ka thënë ai.

Analisti Muhamet Hajrullahu e ka quajtur degradim politik situatën e krijuar nga shkurti i këtij viti e deri me tërheqjen e kërkesës së presidentes Osmani sot

“Shqetësimi më i madh është se si ky gjyqtar është qe 8 vjet aty dhe të gjitha vendimet janë diskutabile. Të gjithë ne pritëm zgjidhje, cilado qoftë ajo. Për Radomir Laban ka pasur reagim të medieve nga viti 2018…”, ka thënë ai në RTK.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se rrezikshmëria e Labanit dallohet me kërkime të lehta për të, duke përfshirë faktin që kërkohet nga Interpol.

“Sot është data 5 gusht dhe Gjykata Kushtetuese ka vënë një ndalesë që të mos ndërmarrin asnjë veprim në tentimin e formimit të institucioneve deri me datën 8 gusht. Por, tani jemi të shokuar sepse me heqjen e kërkesës së presidentes, po i bie që ne sigurinë kombëtare dhe të shtetit e kemi lënë në duart e dikujt që kualifikohet si i rrezikshëm”, ka thënë ai.

Osmani në konferencën e sotme për media ka thënë se kjo kërkesë e saj është në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues.

“Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona, që sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë rendin kushtetues”, ka thënë ajo.