lajmi.net

Analistët në Beograd nuk shohin përparim në dialog

Analistët në Serbi deklarojnë se procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, tash për tash është bllokuar dhe se Bashkimit Evropian i duhet ta qartësojë se si do të veprojë. Për më tepër, zbatimi i marrëveshjeve të arritura është kusht për ndihmën financiare. Pas raundit të fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Beogradi zyrtar…

Lajme

07/07/2024 21:21

Analistët në Serbi deklarojnë se procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, tash për tash është bllokuar dhe se Bashkimit Evropian i duhet ta qartësojë se si do të veprojë. Për më tepër, zbatimi i marrëveshjeve të arritura është kusht për ndihmën financiare.

Pas raundit të fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Beogradi zyrtar po dërgon mesazhe se zbatimi i marrëveshjeve të arritura është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke komentuar statusin aktual të këtij procesi ndërmjet dy vendeve, analisti Dushan Janjiq beson se dialogu në fakt nuk po zhvillohet më.

“Dialogu, edhe pse tregon shenja jete, nuk po jep rezultate të shëndetshme. Është e nevojshme që Perëndimi të thotë çfarë do me Kosovën dhe në Kosovë. Ajo që është absolutisht e qartë është se bisedimet për normalizimin do te mbeten, por është gjithashtu e qartë se dialogu ka arritur në një krizë. Prandaj, metodologjia do të duhet të ndryshohet”, tha Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike.

Kur është fjala për dialogun Kosovë/Serbi, për të dyja palët u shfaq një kusht tjetër. Përkatësisht, lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin ndihmën financiare, Komisioni Evropian pret që të gjitha vendet të finalizojnë agjendat e tyre reformuese. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, një nga parakushtet është bashkëpunimi konstruktiv në kuadër të obligimeve nga dialogu.

“Ajo që është më interesante, apo që i komplikon gjërat, është se për Serbinë dhe Kosovën, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizim është një nga parakushtet për zhbllokimin e atyre fondeve dhe për t’iu bashkuar tregut të përbashkët. Ajo që nuk dimë janë kriteret me të cilat do të monitorohet”, tha Nenad Gjurgjeviq, nga Oda Ekonomike Serbe.

Për shkak të marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve, analistet nuk besojnë se dialogu mund të përparojë pavarësisht përpjekjeve të të dërguarve ndërkombëtarë. Përfaqësuesit e ambasadave perëndimore në Beograd ditëve të fundit kanë dërguar mesazhe lidhur me dialogun duke theksuar se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura është vendimtar.

LM