Analistët dyshojnë për rritje të punësimit me shifrat e premtuara
Dy partnerët e koalicionit, PDK e LDK, gjatë fushatës parazgjedhore patën premtuar qindra mijëra vende të reja pune.

Lajme
Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku tha për RTK se edhe me punën më të mirë të qeverisë në të gjitha aspektet ekonomike, numri i vendeve të reja të punës që do të krijohen nuk mund të kalojë shifrën mbi 60 mijë.
“Në programin e ri qeveritar duhet të vihen në veprim ekspertizat profesionale, popullata nuk duhet të ushqehet me premtime marramendëse. Unë pres që, po të bëhen ndryshime të nevojshme në politikat ekonomike dhe provokimin e sektorëve që provokojnë punësim, përfundimin me sukses të reformave strukturore, dhe me fluksin e investimeve të jashtme, ne do të ishim të lumtur nëse Kosova brenda vitit do të hapte 15 mijë vende të reja pune”, vlerësoi Sadiku.
Ndërkaq, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, tha se është herët të flitet për numra të vendeve të reja të punës, por është momenti i fundit për të bërë reforma për fuqizim të sektorit privat, luftë kundër korrupsionit, zbatim të ligjit për të rritur kështu investimet e huaja.
“Qeveria e re nuk do ta ketë luksin që të rrijë dhe të mos marrë vendime serioze, thjesht janë ditët e para, është shumë herët të flasim për numra, megjithatë pritjet e mia por që ekzistojnë te kjo qeveri, është momenti i fundit kur duhet të kemi rritje më të madhe ekonomike dhe fuqizim të sektorit privat, por nuk janë tejet ambicioze sa të flas për krijim të vendeve të punës për shifra qindra mijëra të cilat janë dhënë, janë premtuar gjatë fushatës”.
Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë fjalimeve për projektbuxhetin 2015, premtuan se do të punojnë për të ndryshuar rrënjësisht ekonominë kosovare, nga një ekonomi që varet nga sektori publik, në një ekonomi ku gjenerator i rritjes ekonomike është sektori privat që krijon vende të reja të punës, raporton RTK.