Amnistim Presidencial

Presidentja Atifete Jahjaga ka dekretuar Ligjin për Amnistinë. Ky ligj, i cili ka ngjallur reagime të shumta të opinionit publik, erdhi si rezultat i Marrëveshjes 15 pikëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shoqëria Civile kundërshton.

Lajme

18/09/2013 14:47

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekretoi sot Ligjin për Amnistinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më datë 11 korrik 2013.

“Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 80, pika 2 dhe në nenin 84, pika 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ky ligj, i cili ka ngjallur reagime të shumta të shoqërisë civile dhe opinionit publik, erdhi si rezultat i i Marrëveshjes 15 pikëshe ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 19 prill në Bruksel.

Shoqëria Civile vazhdon ta vlerësojë si të papranueshëm përmbajten e Ligjit për Amnesitinë, për shkak se se krijon mundësi për amenstimin e personave të përfshirë në veprat kriminale e korruptive në Kosovë.

Ilir Deda nga Institutit KIPRED, thotë në një intervistë për Evropën e Lirë, se 12,564 njerëz kanë firmosur kundër përmbajtjes së këtij ligji.

“Nëse 91 individë në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për legjitimimin e krimit në Kosovë, 12,564 njerëz në Republikën e Kosovës janë kundër këtij legjitimimi. Dhe, të mos mundohet dikush të thirret në legjitimitetin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kur dihet se ky Kuvend është produkt i një vjedhjeje industriale të votave”.