Amnisti edhe për djegësit e pikave doganore në Veri

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se me ligjin për amnisti do të përfitojnë edhe ata që kanë djegur pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas tij, nga ky ligj janë amnistuar edhe mijëra serbë të tjerë.

Lajme

18/02/2014 18:44

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se në ligjin për amnisti kanë përfituar edhe djegësit e pikave doganore në ditën e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Kohavision.

Kuçi thotë të jetë i dëshpëruar sikurse me deputetët ashtu edhe me mediat që thonë se për ligjin për amnisti, amnistohen 1784 shqiptarë për armëmbajtje pa leje, derisa, sipas tij janë amnistuar edhe mijëra serb.

“Kanë përfituar me mijëra serb në veri”.

“Ne me ligjin për amnisti kemi amnistuar njerëz në veri të Kosovës dhe ata që kanë djegur pikat kufitare”.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me amnistinë që është bërë për nder të përvjetorit të pavarësisë ku presidentja Jahjaga ka falur vetëm 2 të dënuar, raporton Kohavision.

Hajredin Kuçi ka thënë se Kosova dëshiron një sistem të unifikuar në Kosovë pas qershorit të këtij viti, kur EULEX pritet ta ketë një rol të ri në vend.

Ministri i Drejtësisë i ka njoftuar anëtarët e këtij Komisioni lidhur me takimin e Dialogut të Strukturuar në Fushën e Sundimit të Ligjit ndërmjet Bashkimit Europian dhe përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij prezantimin, Ministri Kuçi ka paraqitur Raportin lidhur me takimin e Dialogut të Strukturuar në fushën e Sundimit të Ligjit dhe nderë tjera ka thënë së në këtë takim janë diskutuar një sërë çështjesh me interes në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, përfshirë këtu, tranzicionin e EULEX-it, rishikimi strategjik i BE-së për misionin e EULEX-it në Kosovë, sistemin gjyqësor dhe reformat në drejtësi, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit dhe luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit.

Kuçi tha janë paraqitur të arriturat dhe zhvillimet në kuadër të reformës në drejtësi gjatë viti 2013 dhe sfidat me të cilat është përballë Kosova dhe po vazhdon të përballet.

Lidhur me pavarësinë dhe pa anshmërinë e gjyqësorit, si dhe luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, Ministri Kuçi tha se institucionet kompetente të Kosovës kanë paraqitur të arriturat dhe sfidat në këto fusha.

Kuçi tha se pozicioni i Kosovës lidhur me Rishikimin Strategjik të BE’së për misionin e EULEX’it në Kosovë, parasheh unifikim të sistemit të drejtësisë duke u bazuar në ligjet e Kosovës, hierarkia udhëheqëse dhe llogaridhënia tu takojë institucioneve vendore dhe të jenë përgjegjëse dhe bartëse të proceseve.

Sipas tij, misioni i ri duhet të ketë kryesisht funksione këshillëdhënëse dhe të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve të stafit të institucioneve lokale, ta ketë fokus qendror veriun dhe integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe prokurorët e gjyqtarët të funksionalizohen dhe ushtrojnë detyrat e tyre brenda institucioneve të Kosovës, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.