MJP: BE-ja duhet t’ia tërheq vërejtjen menjëherë Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i tërheq menjëherë vërejtje Serbisë, pasi që shteti fqinj po manipulon dhe përdor standarde të dyfishta përkitazi me dialogun.

Lajme

04/11/2018 18:19

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), ka reaguar në lidhje me qasjen e Serbisë dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, MPJ ka bërë të ditur se, Serbia po manipulon dhe përdorë standarde të dyfishta përkitazi me dialogun dhe se sipas kësaj ministrie, BE-ja duhet t’i tërheq vërejtjen menjëherë.

“Ministria e Punëve të Jashtme i vlerëson të papranueshme veprimet destruktive, qasjen dashakeqëse dhe standardet e dyfishta, që shteti fqinj Serbia po i përdorë në marrëdhëniet me shtetet njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës duke shfrytëzuar, keqpërdorur dhe manipuluar me dialogun për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve me qëllimin parësor për të bërë agresion diplomatik kundrejt sovranitetit dhe imazhit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, raporton lajmi.net.

Sipas MPJ-së, Kosova ka hyrë në dialog me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe shteteve të tjera aleate të Kosovës me qëllim që të përmirësohen marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe popujve nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së Detyrueshme Ligjore, e cila do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke në mes dy shteteve dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Për Republikën e Kosovës, dialogu me vullnetin e mirë dhe në mirëbesim ka qenë dhe mbetet mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve, ndërtimit të besimit në mes dy shteteve dhe dy popujve, promovimit të paqes afatgjate, forcimit të stabilitetit rajonal dhe rritjes së prosperitetit për të gjitha popujt, por ai nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet si instrument qëllimi, mjet destruktiv dhe metodë manipuluese nga shteti fqinj, për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të shtetit të ri në marrëdhëniet me jashtë dhe paralelisht me këtë rrezikimin e interesave nacionale të shtetit dhe shtetasve të Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

“Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se veprime të tilla nga lidershipi i shtetit fqinj duket se kanë qëllime të lëkundin edhe disponimin pozitiv rajonal për t’i dhënë hapësirë veprimeve gjeopolitike, që kultivojnë shpërputhje me vullnetin rajonal për integrim në BE, NATO, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës”, thuhet në reagim.

Përmes këtij reagimi Ministria e Punëve të Jashtme iu ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të reagojnë menjëherë dhe t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve dhe veprimeve të tilla.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues të dialogut, ShBA-ve si mbështetës të plotë të tij dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere, që të reagojnë menjëherë dhe t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve dhe veprimeve të tilla, që janë në kundërshtim të plotë me zotimin e shprehur për bashkëpunim rajonal, përkushtimin për integrim në BE dhe vullnetin e shprehur deklarativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve”, thuhet në fund të reagimit. /Lajmi.net/