Amerikanët e duan Jahjagën presidente deri në vitin 2021

Pak kush besonte se presidentja Atifete Jahjaga e zgjedhur përmes kompromisit politik PDK-LDK-AKR në vitin 2011, mund ta qoj deri në fund mandatin e saj 5 vjeçar të garantuar me Kushtetutë. Por tani, 3 vite pas, ata që nxorën emrin e saj nga atje prej ku pak kush e njihte, po investojnë shumë që ish polices t’i sigurohet edhe një mandat tjetër, që do ta mbante në krye të vendit, deri në vitin 2021. 

Lajme

26/09/2014 21:47

Në vitin 2011 politika kosovare ndodhej në një ngërç rreth postit të Presidentit, por për dallim nga sot ku askush nuk po arrin të ofrojë zgjidhje për formimin  institucioneve, ishte ish ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell që solli një emër përpara liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, për të cilin këta u pajtuan që të jetë presidente e vendit.

Pjesë e asaj marrëveshje ishte edhe reforma zgjedhore, e cila parashihte që presidenti i ardhshëm do të zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli. Parashikohej që presidentja Jahjaga ta gëzonte postin e të parit të vendit përkohësisht, deri në zgjedhjet e reja. Marrëveshja asnjëherë nuk u implementua, dhe sot as që mendohet të kontestohet mandati i plotë 5 vjeçar i presidentes.

Edhe në ato raste kur partitë politike jepnin sinjale përmes të cilave kërkonin t’i ndërprenin mandatin presidentes, ishin amerikanët që dërgonin mesazhe përmes të cilave thonin qartë se as duhet guxuar të preket Jahjaga, te e cila shihnin përfaqësuesen më të mirë të institucionit që kërkon përfaqësimin e unitetit të popullit.

E tani kur Jahjagës i kanë ngelur edhe dy vite mandat në krye të shtetit, ata që e sollën aty, po e përgatisin atë edhe për një mandat të ri, që do të bënte që ajo të qëndrojë në krye të Republikës së Kosovës deri në vitin 2021.  

Burime të lajmi.net, brenda përfaqësuesve të departamentit amerikanë të shtetit, kanë bërë të ditur, se ata janë shumë të kënaqur me rolin e Jahjagës në shtetin për të cilin investuan shumë, dhe po punojnë që asaj t’i sigurohet edhe një mandat i ri nga viti 2016, kur ky i tanishmi i përfundon.

Amerikanët sipas këtyre burimeve do t’i kërkojnë spektrit politik që presidentin të vazhdojnë ta kenë jashtë partive politike, sepse vetëm në këtë formë ky institucion do të ishte në gjendje të përfaqësonte unitetin e popullit, e jo interesin e ndonjë partie politike.

Se Jahjaga është personi politik në Kosovë, më i përkrahuri nga amerikanët, e dëshmon edhe mikpritja që iu bë asaj gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   

Jahjaga fillimisht u nderua nga fondacioni i themeluar nga ish presidenti amerikan Bill Clinton, ku mori Çmimin për “Udhëheqje në Shërbimin Publik”. Më pas delegacioni i qeverisë amerikane në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Jahjagën e bëri pjesë të delegacionit të vet, duke i dhënë mundësinë asaj që të marrë pjesë në sesionin e fundit të këtij institucioni të përfaqësimit të të gjitha shteteve të botës.

Jahjaga aty arriti të zhvillojë takime të rëndësishme me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Por nderimi i presidentes së Kosovës nga qeveria amerikane nuk përfundoi me kaq. Ajo u prit në takim nga presidenti Barack Obama, dhe ishte mysafire edhe e shumë institucioneve tjera të rëndësishme të shtetit më të fuqishëm të globit.

Jahjaga tani pas këtij fuqizimi politik në SHBA, do të kthehet në Kosovë, me një rol të ri.

Nuk do të vazhdojë të jetë një institucion vetëm ceremonial, por që u jep kah politikave të vendit, pasi për këtë e ka edhe mbështetjen amerikane.

Hapi i parë, ndoshta edhe më i vështiri i rolit të saj të ri do të jetë, nxjerrja e vendit nga ngërçi politik.

Presidentja pas kthimit nga SHBA-të do t’i ftojë edhe në një takim përfaqësuesit e partive politike, kësaj radhe jo sikur në takimin e kaluar vetëm për t’i dëgjuar ata, por edhe duke ofruar opsionet për dalje nga ngërçi politik i pas zgjedhjeve të 8 qershorit.  (lajmi.net)