Amerikanët e anglezët “qortojnë” opozitën

Pas deklaratave të partive opozitare se do të votojnë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Britanisë së Madhe në Kosovë, ia kanë përkujtuar opozitës se duhet ta kenë parasysh se Gjykata Speciale është prioritet, dhe se duhet të votohet.

Lajme

06/01/2015 08:23

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe ajo e Britanisë së Madhe në Kosovë ua bëjnë me dije deputetëve të partive opozitare se miratimi i ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, është thelbësor për reputacionin e ardhshëm ndërkombëtar të Kosovës, dhe se duhet të kenë parasysh se ky ligj është prioritet për Kosovën.

Pas deklaratave të partive opozitare se do të votojnë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, këto dy ambasada kanë dhënë deklarata për gazetën “Zëri” duke iu përgjigjur qartë opozitës se Kosova nuk ka opsion tjetër pos themelimit sa më të shpejtë të kësaj Gjykate. Madje, kanë bërë me dije se për këtë çështje do të flasin edhe me deputetët.

“Ne do të flasim me deputetët e opozitës për t’ua kujtuar atyre se miratimi I ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale është thelbësor për reputacionin e ardhshëm ndërkombëtar të Kosovës. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë kur të mbahet votimi”, tha për “Zërin”, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.