Amerika i kushtëzon ushtarët ateistë: Betohuni në Zot!

Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë thënë një rreshteri se do të përjashtohet nga ushtria nëse ai nuk pajtohet që të thotë frazën “Prandaj më ndihmo Zot”.

Bota

10/09/2014 23:52

Në skandalin e fundit religjioz që tronditi forcat ajrore, pilotit ateist muajin e kaluar i ishte refuzuar rikthimi në ushtri sepse refuzoi të betohej në Zot dhe tani ai ka ndërmarrë hapa ligjorë, duke ngritur padi kundër ushtrisë, ka thënë për AFP-në avokatja i pilotit.

“Letrës sonë nuk i janë përgjigjur forcat ajrore. Nuk kanë shprehur gatishmëri që të përballen me ne në gjykatë”, ka thënë Monica Miller, avokatja e ushtarit ateist.

Afati i përcaktuar për rikthim në ushtri skadon në muajin nëntor, ndërsa rreshteri i bazës Creech Air Force në Nevada pritet të padisë qeverinë në gjykatën federale, transmeton koha.net.

Në të kaluarën, një pilot mund të zgjidhte një frazë tjetër për t’u betuar në vend të fjalisë “Prandaj më ndihmo Zot”, por ushtria amerikane e ka ndryshuar këtë ligj nga tetori i vitit 2013.

Repartet tjera të ushtrisë amerikane nuk e përdorin si referencë Zotin dhe kjo frazë mbetet si mundësi e dytë për ta zgjedhur.

“Ky është reparti i vetëm që kërkon përdorimin e një gjuhe të tillë fetare”, ka thënë avokatja Miller.

Forcat ajrore për një kohë të gjatë janë duke u përballur me religjionin dhe rolin e krishterimit në ushtri. Akademia e forcave ajrore në Colorado është përballur me disa akuza për ndikim në krishterim në kushtetutën amerikane.