Amerika, 100 për qind në krah të Kosovës

Sipas Ambasadorit amerikan në NATO, Douglas Lute, vendimi për transformimin e FSK’së në ushtri është vendim sovran i Qeverisë dhe i popullit të Kosovës. Por duhet pasur kujdes sepse ‘lëvizja shumë e shpejtë mund ta vë në rrezik përkrahjen e NATO”.

Lajme

15/02/2014 08:59

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plotësisht në krah të Kosovës- 100 për qind. Kështu tha ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute, në një intervistë dhënë ‘Kohës Ditore’ gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

I ardhur pas më shumë se dhjetë viteve në Kosovë, ku menjëherë pas luftës ka udhëhequr sektorin amerikan të KFOR’it, Lute sot sheh përparim të madh në Kosovë, edhe pse rezervon gjykimin përfundimtar pasi të ketë parë më shumë.

Megjithatë, ai vlerëson pozitivisht proceset nëpër të cilat kalon vendi, dhe konfirmon pa asnjë mëdyshje përkrahjen e Washingtonit për rrugëtimin e Kosovës.

Derisa, insiston se marrëveshja me Serbinë e arritur në prill të vitit të kaluar është historike, ambasadori Lute paralajmëron se në çdo rast zbatimi I një marrëveshje është shumë më i vështirë se sa arritja e saj.

Për mundësinë që Forcat e Sigurisë së Kosovës të transformohen në ushtri të vendit, ai thotë se është vendim që i takon vetëm Kosovës, por shton se këshillat për Qeverinë janë që të mos ngutet, sepse “lëvizja shumë e shpejtë mund ta vë në rrezik përkrahjen në NATO”.

SHBA-ja është një prej 28 shteteve anëtare të NATO’s dhe qëndrojmë  100 për qind në krah të Kosovës. Misioni këtu nuk ka marrë fund, por progresi është bukur mbresëlënës. Vazhdoni me këtë ritëm, por gjëja më e rëndësishme tani është marrëveshja e arritur prillin e kaluar. Ajo duhet të përmbushet.

“E di se përmbushja e marrëveshjeve është gjithnjë gjëja më e zorshme. Jo plani, jo marrëveshja, përmbushja është e zorshme”.

“Dhe Kosova sot, rreth një vit që nga kjo marrëveshje, ndodhet përballë në periudhë vërtetë delicate por tejet të rëndësishme transitore, në atë të implementimit. Prandaj, përqendrohuni në transicion dhe NATO’ja do të jetë me ju”, ka thënë ambasadori Lute për ‘Koha Ditore.