Ambasadorja gjermane: Policia s’ka të drejtë t’i ndalojë njerzit të lëvizin lirshëm (Video)

Ambasadorja Gjermane në Kosovë, Angelika Viets, në një diskutim të hapur të organizuar nga Grupi për Studime Juridike e Politike, ka porositur shtetasit kosovarë të jenë më duruar dhe mos të migrojnë pasi kjo në afatgjatë do t'i dëmtojë ata. Ajo ka thënë se policia nuk duhet t'i pengoj njerzit të lëvizin, në vendet ku ata e kanë të lejuar lirinë e lëvizjes. 

Lajme

20/01/2015 12:36

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë duke iu referuar migrimeve ilegale që kohëve të fundit janë bërë të zakonshme, sidomos në shtetin të cilin ajo përfaqëson në Kosovë, Gjermaninë.

Ambasadorja Viets, duke folur mbi atë se a duhet Serbia që të ndëshkohet si vend e cila po lejon migrimin ilegal, ngaqë po bëhet ‘urë kaluese’, e ka mohuar një veprim të tillë.

Kjo pasi, sipas saj, lëvizja është e lirë, por zgjidhja duhet gjetur në durimin e qytetarëve kosovarë.

“Është lëvizje e lirë. Policia serbe nuk ka të drejtë t’i kthejë njerëzit sepse ata kanë të drejtë të lëvizin”.

“Problemi i vërtetë me migrimin ilegal nuk është në një instrument ndalues ose në marrjen e masave preventive. Por, ne duhet t’u tregojmë njerëzve që, ata bëhen më të varfër kur braktisin vendin e tyre dhe shesin çdo gjë. Ata do të kthehen këtu herët a vonë pas një procesi, zakonisht dhjetë ditorë”.

“Përmirësimi i situatës do të merr pak kohë dhe njerëzit duhet të jenë durimtarë, frytet do të vijnë pas disa vitesh. Kosovarët deshën pavarësinë dhe tash duhet të rrinë këtu”, ka thënë Viets.

Ndryshe, edhe shteti i Kosovës, duke mos pasur mundësi legale për pengimin e fluksit të migrimit ilegal, po shkel të drejtën elementare të lirisë së lëvizjes të qytetarëve të Kosovës, duke i penguar ata përmes policisë që të lëvizin drejtë Serbisë, edhe pse kalimin e kufirit Kosovë-Serbi, nuk kërkohet vizë.