Ambasadori Kosovës dhe i Kroacisë promovojnë përmendoren e viktimave të tërmetit në Ulqin

Qeveria e Kosovës ndan ndihmë për sanimin e dëmeve nga vërshimet në muret e kalasë së Ulqinit

Lajme

14/01/2021 16:19

Sot në Ulqin është mbajtur ceremoniali i përurimit të memorialit të viktimave të tërmetit në Ulqin më 1979, nën patronatin e komunës së Ulqinit.

Ilir Capuni, kryetar i asamblesë së komunës së Ulqinit ka theksuar se ky është një gjest ndaj bashkëqytetarëve që ranë viktima të katastrofës natyrore dhe me këtë rast ka theksuar se ndihma nga Kosova qe e para që arriti në Ulqinin e shkatërruar.

Kryetari i komunës, Loro Nrdekiqi, theksoi se ata bashkëndjejnë edhe me viktimat e tërmeteve në fqinjësi, Shqipëri e Kroaci.

Përmendoren e përuruan ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, dhe ai i Kroacisë, Veselko Grubjeshiq, para qytetarëve të Ulqinit dhe anëtarëve të familjeve që kanë pësuar gjatë tërmetit.

Ambasadori Hysa theksoi që Kosova do të qëndroj gjithmonë pranë Ulqinit, sikurse atëherë më 1979 edhe tani. Atëherë një monument identitar i trashëgimisë kishte pësuar më së shumti- kalaja e Ulqinit- sikurse edhe tani me rastin e vërshimeve dhe me këtë rast Qeveria e Kosovës, sikurse edhe më parë, ka reaguar me një ndihmë simbolike: një donacion prej 10.000 eurove për sanimin e dëmeve të mureve të kalasë, që është një simbol i qytetit.

“Kosova do rrijë pranë Ulqinit jo vetëm gjatë ditëve të vështira”, tha ambasadori Hysa.

Ambasadori kroat u falënderua për solidarizimin me vendin e tij pas tërmetit.

Përmendorja është ide dhe vepër e artistëve ulqinak, Mentor Llunji, Sami Flamuri dhe Muhmed Muharremoviq e punuar nga guri vendor që simbolizon rilindjen.