Ambasadori Italian për rastin e Ukë Rugovës

Në një deklaratë për Reuters, Ambasadori Andreas Ferrarese nuk ka pranuar të konfirmojë ose mohojë raportimet e mediave se një punëtor vendor i Ambasadës është në mesin e të arrestuarve.

Lajme

05/02/2014 21:17

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, ka thënë se kjo ambasadë është duke punuar për ta qartësuar situatën rreth rastit të Ukë Rugovës, i cili u arrestua sot nën dyshimin se është i përfshirë në ushtrim ndikimi dhe mashtrim me viza të lëshuara nga kjo ambasadë.

Në një deklaratë për Reuters, Ambasadori Ferrarese nuk ka pranuar të konfirmojë ose mohojë raportimet e mediave se një punëtor vendor i Ambasadës është në mesin e të arrestuarve.

“Nuk mund të hyj në detaje sepse ka një problem me privatësinë dhe duhet gjithashtu të mbrohen hetimet”, ka thënë ai.

Ferrarese tha se Ambasada është duke punuar për ta qartësuar situatën dhe është duke bashkëpunuar me EULEX’in, mision në të cilin ai ka thënë se ka besim të plotë.