Ambasadori i SHBA-së: Zgjedhjet në 2018-ën

Gjendja aktuale që po mbretëron në Kuvendin e Kosovës, ku partitë opozitare nuk po lejojnë mbajtjen e seancave për shkak të kundërshtimeve për marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, duket se nuk do të zhbllokohet nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme

05/10/2015 18:18

Këtë dilemë e ka hequr Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili duke folur për zhvillimet e fundit , ka thënë se në demokraci është koalicioni shumicë ai që përcakton agjendën.

Në debatet politike që po zhvillohen kohëve të fundit, shpesh llogaritet që vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, madje këtë e pohojnë edhe analistët.

“Në demokraci, partia ose partitë që përbëjnë koalicionin e shumicës i përcaktojnë politikat. Në përgjithësi, ata që nuk i duan politikat e partive të koalicionit në pushtet, duhet të punojnë që t’ia shpjegojnë pozicionet e tyre elektoratit dhe të marrin më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme më 2018 .Atëherë do të jenë vet në pozitë ta përcaktojnë agjendën” ka thënë Delawie në një intervistë për mediat kosovare.