Ambasadori i ri i Maqedonisë dorëzon kredencialet

Ambasadori i ri i Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strashevski dorëzoi letrat kredenciale te Presidentja Atifete Jahjaga . ai u prit edhe nga Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Lajme

19/12/2013 14:33

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot ambasadorin e Republikës së Maqedonisë Ilija Strashevski, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.

Presidentja Jahjaga e uroi ambasadorin Strashevski për detyrën e re dhe tha se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë janë shumë të mira në të gjitha fushat. Ajo theksoi se ato duhet të thellohen edhe me tutje në veçanti në fushën e ekonomisë dhe të bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ambasadori Strashevski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve me theks të posaçëm në rrugën drejt integrimit në BE.

Ambasadori Strashevski është pritur sot edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

 

Ministri Hoxhaj i ka uruar ambasadorit Strashevski suksese në misionin e ri, duke e njoftuar për progresin në Kosovë, forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese europiane.

Ministri i Jashtëm kosovar ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Maqedoninë, në kuadër edhe të bashkëpunimit rajonal.

Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë ka theksuar gatishmërinë e shtetit të tij për forcimin e bashkëpunimit bilateral, duke shprehur edhe angazhimin e tij të fuqishëm në këtë drejtim, gjatë misionit në Kosovë.